Shkruar nga : Dr. Blerim Myftiu – Neurolog
Ekspertët amerikanë kanë publikuar rekomandimet e përditësuara për menaxhimin e fibrilacionit atrial – çrregullimit të rrezikshëm të ritmit të zemrës i cili është njëri prej shkaqeve kryesore të infarktit akut në tru.
Përveç Varfarinës e cila ka qenë antikoaguluesi (holluesi i gjakut) i vetëm deri para 7-8 vitesh në treg, tani në qarkullim janë 4 barna të reja (Dabigatran, Rivaroxaban, Apixaban, Edoxaban) të cilat janë të baras efektshme me Varfarinën dhe përparësinë më të madhe e kanë se nuk ka nevojë për përcjellje të hollimit të gjakut dhe analiza të shpeshta, duke e përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve. Derisa deri tani nuk ka pasur dallim ndërmjet Varfarinës dhe brezit të ri të barnave (NOAC), rekomandimi i fundit u jep një përparësi të lehtë zgjedhjes së brezit të ri karshi Varfarinës.
Përmes këtij udhëzuesi pragu për fillimin e terapisë antikoaguluese zbutet, përkatësisht edhe në raste më të lehta sugjerohet fillimi i terapisë me antikoagulues. Shkalla CHA2DS2-VASc (shihni më poshtë) ndihmon në praktikën e përditshme për të vendosur nëse një pacient ka nevojë të trajtohet me antikoagulues apo jo. Deri tani, gratë që kanë pasur së paku 3 pikë dhe burrat që kanë pasur së paku 2 pikë janë kualifikuar për terapinë. Tash e tutje, ekspertët porosisin që pragu për gra të ulet në 2, kurse për burra 1, përkatësisht.
Dhe, për herë të parë, obeziteti është renditur në mesin e faktorëve të rrezikut që duhet trajtuar në mënyrë që të ulet rreziku për fibrilacion atrial.
C = Pamjaftueshmëria e zemrës (1 pikë)
H = Hipertensioni (1 pikë)
A = Mosha mbi 75-vjeç (2 pikë)
D = Sëmundja e sheqerit (1 pikë)
S = Infarkt trunor apo sulm kalimtar iskemik (2 pikë)
V = Sëmundja vaskulare (1 pikë)
A = Mosha 65-74 (1 pikë)
Sc = Gjinia femër