Alpinistja kosovare, Uta Ibrahimi, do t’i vazhdojë ekspeditat e saj me ngjitjet në lartësitë më të mëdhaja të botës.
Ajo ka udhëtuar gjatë ditës së sotme për në Stamboll, e më pas të mbërrijë në Nepal, ku do të ngjitet në majën Anapura që është mbi 8000 metra lartësi mbidetare.
Kjo ngjitje do të realizohet në kuadër të ekspeditës “14 majat më të larta në botë”.
Ajo përmes një postimi në Facebook, të bërë gjatë ditës së djeshme, është shprehur e emocionuar dhe e gëzuar se po afron kohë e realizimit të ngjitjes.
Ekspedita do të fillojë më 17 mars, ndërsa tentimi për të mbërritur në majë do të tentohet në fillim të majit.
Postimi i saj i plotë:
Veq edhe pak orë po nisem për në ngjitjen e radhës … Anapurna
Si gjithmonë, procesi i paketimit më merr nja 5 ditë me planifikime, e nja 3 orë me u paketu e me ba naj fotografi edhe me postu
Këtë herë po nihna shumë e gëzume që po rikthena në ekspedita .. te andrra e madhe e 14 Majave ma të nalta në botë .. pas nji viti sa shumë sfidues e përmbushes shpirtëror gjithashtu ..
Kalova shumë kohë tu eksploru malet e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë, punë me fëmijët e të rinjtë e Kosovës, Libri Uta e Maleve, e shumë e shumë projekte tjera, që më përmbushen qaq sa me ngjit maja të Himalayave.
Po kthehna te Himalayat, se në fund të ditës, pavarsisht sfidave për këtë ekspeditë, financiare e logjistike, prap andrra e Himalayave asht ma e madhe se çdo tjetër .. e në fund të ditës, Uta asht e maleve e edhe e Himalayave.
Po nisna e si asnjiher ma parë, me zemër plot nga përkrahja që e marr çdo ditë nga njerëzit që më rrethojnë, shoqnia, prindërit, motrat e vëllau, e Meto, dashurija e jetës.
Këtë herë, e kam motivin edhe ma të fortë, me e ngjit majen me dy flamujt e mi që gjithmonë i kam me vete … e ma së shumti për fëmijët e vendit tem, që çdo ditë më shohin si hero të tyne
Anapurna, unë po vij .. edhe uroj që ke me na dasht edhe na pranu mirë, qaq sa unë e du jetën edhe malin