Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Klinika Infektive e mbushur me pacientë, 80 për qind e tyre me oksigjeno-terapi

Në Klinikën Infektive janë të mbushura të gjitha kapacitetet spitalore dhe aktualisht janë të shtrirë 112 pacientë, ndërsa 80 për qind prej tyre janë me oksigjeno-terapi.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, i cili deklaroi se në këtë klinikë tashmë janë të shtrirë 112 pacientë.

Ai tha se një pacient i cili ka qenë i intubuar është dërguar në Mjekimin Intensiv për shkak të disa punimeve që janë duke u zhvilluar për të finalizuar procesin e punës në sistemin qendror të oksigjenit.

“Ne i kemi të gjitha kapacitetet e mbushura i kemi gjithsej 112 pacientë, prej të cilëve diku 80 për qind janë me oksigjenoterapi dhe vazhdojmë të japim trajtim por kapacitet janë komplet të shfrytëzuara tashmë…Sot e kemi pas një pacientë të intubuar e kemi përcjell në Mjekimin Intensiv arsyeja e përcjelljes është se janë duke u bërë disa renovime përfundimtare me qëllim të funksionalizimit të komplet sistemit të oksigjenit i cili ka nisur dje”, u shpreh ai.

Nga dita e djeshme në Klinikën Infektive të QKUK-së, është lëshuar në funksion sistemi qendror i furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit e kësaj klinike. E kjo po shihet si një lehtësim shumë i madh për profesionistët shëndetësor, por edhe pacientët.

“Është lehtësim shumë i madh edhe për pacientin por edhe për stafin realisht, sepse gjithmonë ka qenë në panik se në orën 3 apo 4 të natës ka mundur që pacientit me iu shpenzua boca dhe pastaj alarm me thirr bocmenin deri sa vjen me kohë, sigurisht që tani ajo sfidë na është larguar neve dhe nuk e kemi këtë dhe kjo do jetë shumë më mirë për pacientët por edhe lehtësim për ne personelin shëndetësor për arsye se realisht nuk do e kemi shqetësim e furnizimit me oksigjen për pacientët që kanë nevojë e tek COVID-19 70, 80 e atyre që janë të spitalizuar kanë nevojë për oksigjen”, theksoi Sadiku.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku ka deklaruar se përveç barit antiviral Remdesivir që ende po vazhdoj qytetarët ta sigurojnë vetë, mungesa tjera nuk kanë.

“Në përgjithësi kemi pasur furnizim tash mund të ndodh një dit apo dy është çështja e operatorëve por në përgjithësi kemi pasur furnizim e vetmja ka qenë Remdesiviri që nuk ka mundur të sigurohet si bar antiviral dhe deri tani kanë qenë të detyruar me blerë pacientët nga xhepi i vet”, deklaroi infektologu Sadiku.

Ditëve të fundit në Kosovë është shtuar numri i qytetarëve të prekur me COVID-19. Në 24 orëshin e fundit kanë rezultuar 632 raste pozitive, ndërsa janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. /Telegrafi

Youtube

Arkiva

Kategoritë