Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
OBSh autorizon përdorimin e vaksinës AstraZeneca

Organizata Botërore e Shëndetësisë dha dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Kjo është vaksina e dytë që autorizon OBSH-ja, pas autorizimit të vaksinës Pfizer/BioNTech në muajin dhjetor.

Pritjet tani janë që vendet që kanë aplikuar për vaksina në skemën COVAX, të nisin të marrin dozat e para.

COVAX është një nismë e OBSH-së, që synon të furnizojë me vaksina edhe vendet e varfra.

Vendet që nuk kanë pasur qasje në vaksina deri më sot, do të jenë më në fund në gjendje të fillojnë t’i vaksinojnë punëtorët e tyre shëndetësorë dhe popullatat në rrezik”, tha Mariangela Simao, ndihmës-drejtore e përgjithshme e OBSH-së për qasjen në barna dhe produkte shëndetësore.

Koronavirusi ka infektuar mbi 109 milionë njerëz në të gjithë botën. Së paku 2.4 milionë prej tyre kanë vdekur.

Por, shumë vende të botës ende nuk kanë nisur programet e vaksinimit e, madje, edhe vendet e pasura po përballen me mungesa të dozave, derisa fabrikat po përpiqen të rrisin prodhimin.

Vaksina e AstraZenecas është miratuar tashmë në mbi 50 vende të botës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Indinë, Argjentinën dhe Meksikën.

Ajo është më e lirë dhe më lehtë për t’u ruajtur se vaksina Pfizer/BioNTech, e cila duhet të ruhet në temeperatura në minus 70 gradë Celsius.

Shumë vende në zhvillim nuk kanë frigoriferë të tillë.

Për të qenë sa më efektive, edhe AstraZeneca, edhe Pfizer/BioNTech duhet të jepen në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Youtube

Arkiva

Kategoritë