Dita e të Dashuruarve është rasti që ta gëzojmë personin e dashur me ndonjë dhuratë të bukur, por edhe me urim.
Mirëpo secila histori e dashurisë mes çifteve ka rrugëtimin e tyre. Këtë rrugëtim në ditën e 14 shkurtit me portalin Famila Jonë e ka ndarë Nora Kursani Demjaha.
Në intervistën për portalin Familja Jonë, ajo na tregon për dhuratat e para mes saj dhe bashkëshortit, çelësin e një lidhje të suksesshme, si dhe për perspektivën e saj lidhur me dashurinë.
Familja Jonë: Fillimisht a mund të na tregoni njohjen tuaj me bashkëshortin tuaj dhe disa detaje të historisë suaj?
Nora Kursani Demjaha: Fillimet e shkëndijave të ndjenjave midis meje dhe bashkëshortit timë, u shfaqën që në fund të shkollës së mesme dhe më vonë u shënderruan në një dashuri e cila edhe sot e kësaj dite është po aq e freskët sa në fillimet e saj.
Familja Jonë: Cila ishte dhurata e parë që morët nga njëri-tjetri?
Nora Kursani Demjaha: Dhurata e parë të cilën ma dhuroi ai ishte një çokollatë, në formë të zemrës së bashku me një buqetë trëndafilash të kuq, ndërsa dhurata e parë të cilen une ja kam dhuruar atij ishte një parfum.
Familja Jonë: Cili mendoni se është çelësi për një lidhje të suksesshme?
Nora Kursani Demjaha: Çelësi për një lidhje të gjatë dhe të suksesshme mendoj që janë sinqeriteti dhe toleranca reciproke. Që të dy partnerët duhen të ndihen të lirë që të shprehin mendimet, shqetësimet dhe qëndrimet pa u frikësuar se ato mund të kenë ndikim negativ tek lidhja. Gjithashtu, ata duhet të ndihen të sigurtë për ndjenjat e njëri-tjetrit dhe të kenë komunikim të hapur mes vete.
Familja Jonë: Cila është idea juaj për dashurinë dhe romancën?
Nora Kursani Demjaha: Dashuria është një emocion, i cili i mban njerëzit të lidhur dhe të përkushtuar ndaj njëri tjetrit. Kjo lidhje me kalimin e kohës kalon në një forcë për përballimin e barrierave të përditshme dhe afatgjate të jetës. Për më tepër, kjo energji adresohet drejt rritjës, edukimit dhe shkollimit të fëmijëve, deri sa ata të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të jenë të pavarsuar.
Familja Jonë: A keni ndonjë këshillë se çfarë duhet të bëjnë beqarët në ditën e Shën Valentinit?
Nora Kursani Demjaha: Shën Valentini është një nga 365 ditët e vitit. Sjellja e mirë e individit, kujdesi dhe shfaqja e dashurisë ndaj partnerit nuk duhet të kufizohet vetëm me këtë ditë të veçantë. Çiftët pa dyshim që është mirë të shfrytëzojnë këtë ditë per të ndryshuar rutinen e tyre në lidhje, kurse beqarët të kënaqen gjithashtu me shoqërine e tyre.ë
Emri i Shën Valentinit kishte filluar të përdorej nga njerëzit për t’ia shprehur ndjenjat e dashurisë personit që e dashuronin. Shën Valentini festohet çdo vit me datën 14 shkurt. Është dita kur njerëzit ia shfaqin dashurinë një personi tjetër përmes dhuratave të ndryshme, duke përfshirë dërgimin e kartolinave, luleve apo çokollatave. /FamiljaJonë/