Shkrimtari kosovar, Bujar Tafa, para pak ditësh botoi librin e tij të ri “Betejë në vargje”.
Libri është një përmbledhje shkrimesh për autorë të huaj e shqiptarë, në vecanti shkrime kur paraqesin raportin e shkrimtarëve me sistemet politike dogmatike dhe totalitare, duke përfshirë në këtë libër edhe vargje, siç i cilëson ai, “rebele” të poetëve të ndryshëm.
I pyetur se nga lindi ideja për këtë përmbledhje tejet interesante, Tafa u përgjigj se kjo libër është vetëm vazhdimësi e punës që bën ai dhe të gjithë shkrimtarët në përditshmëri, kësisoj nuk bëhet fjalë për ide në kuptimin klasik të fjalës.
Ai më tutje theksoi se ky grumbullim shkrimesh nuk ka paraqitur ndonjë vështirësi të vecantë sepse shkrimet në fjalë janë personale.
“Nuk bëhet fjalë për ndonjë vështirësi të veçantë sepse këto shkrime janë shkrime personale, me specifikisht janë shkrime të tipit të recensioneve afirmative për vepra të ndryshme të shkrimtarëve, pra të shkrimtarëve dhe veprave të tyre më të cilat unë jam marrë etj. Disa prej këtyre shkrimeve që gjenden në këtë libër kanë qenë të botuara më parë në mediume të ndryshme, disa jo e kështu më radhë”, theksoi ai për Familja jonë.
Si bashkëpunëtorë sa i përket aspektit teknik të botimit Tafa i përmend Muhamed Rexhajn dhe Besfort Mehmetin, duke i falënderuar për ndihmën e dhënë në këtë drejtim.
Autori gjithashtu foli pak edhe për letërsinë në përgjithësi, ku shpjegoi se ndikimi i konformizmit në letërsi i bën dëm kësaj të fundit.
“Nëse mendohet për qasje konformiste kundrejt elitave të caktuara të shoqërisë e të politikës, mendoj se krijimi i mirëfilltë artistik duhet t’i rezistoj konformizmit, çfarë do qoftë ai, në të kundërtën ai krijim nuk do të mund të quhej, si të thuash, tamam krijim i pastër artistik. Pra, letërsia e vërtetë, krijimet letrare e artistike në thelb mendoj se duhet të jenë të pavarura prej këtyre ndikimeve të të gjitha llojeve. Të mos keqkuptohemi, letërsia i pranon shkrimet afirmative për vlera të caktuara të shoqërisë dhe në fakt duhet të afirmojë vlera, por gjithmonë duhet të ketë kujdes që ato vlera të jenë njëmend të tilla e të mos jenë të fabrikuara, të dogmatizuara. Këtu duhet të tregohet aftësia dhe mençuria e shkrimtarëve, që të jenë të aftë ta ndajnë vlerën nga antivlera”, shtoi ai.
Librat e këtij lloji, sipas Tafës, nuk është se kanë ndonjë synim të vecantë për të arritur. Megjithatë kësolloj librash janë një “dritare e re” për ta kuptuar letërsinë nga një këndvështrim tjetër.