Altina Marmullaku
Në stinën e dimrit kur temperaturat janë më të ulëta, kujdesi ndaj lëkurës është më i lartë. Lëkura ndryshe nga pjesët e tjera të organizmit, është më e ndjeshme ndaj të ftohtit, pasi ka kontaktin e parë me temperaturat e ulëta. Tharja e lëkurës, skuqja dhe acarimi janë problemet e dukshme që ne shohim në lëkurë.
Gjatë një interviste për portalin Familja Jonë, dermatologe Shkëndije Dobruna, na tregon disa këshilla se si të kujdesemi dhe të kemi një fytyrë me shkëlqim gjatë stinës së dimrit.
Familja Jonë: A duhet të kemi kujdes të shtuar ndaj lëkurës në stinën e dimrit?
Shkëndije Dobruna: Gjatë stinës së dimrit duhet të kemi kujdes të veçantë ndaj lekurës, meqë ndryshimet e temperaturave nga ambienti i brendshëm me të jashtëm ndryshon, shtuar erërat dhe ajrin e ndotur, dëmton dhe dehidrojnë lëkurën.
Familja Jonë: Cilat janë pasojat në lekurë nëse nuk e hidratojmë lëkurën?
Shkëndije Dobruna: Nëse lekura nuk hidratohet, atëherë humbet lagështia që e mban lëkuren e re, shtohen rrudhat si dhe ashpërsia. Përveq këtyre, mund të vijnë edhe pasoja të tjera si shfaqja e patologjisë lëkurore.
Familja Jonë: Sa herë duhet të hidratohet lëkura gjatë dimrit?
Shkëndije Dobruna: Është e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme që lëkura të hidratohet dy herë gjatë ditës. Të përdoren kremrat për fytyrën meqënëse fytyra është më në kontakt me ndryshimet atmosferike mund të përdoren çdo ditë, gjatë paradites dhe pasdites.
Familja Jonë: Cilat janë maskat për fytyrë që këshillohen gjatë kësaj periudhe?
Shkëndije Dobruna: Maskat të cilat këshillohen gjatë kësaj periudhe, janë maska profesionale pas pastrimeve të thella të bëra nga profesionistët.
Familja Jonë: Si të i trajtojmë problemet estetike dhe kozmetike të fytyrës?
Shkëndije Dobruna: Receta më specifike për këto trajtime është të drejtohemi tek dermatologu estetik, për një trajtim më të mirë, në mënyrë që të vlerësohen dhe trajtohen puçrat, aknet si dhe heqja e njollave nga fytyra.
Problemet që shohim në dimër në lëkurë janë njollat në lëkurë dhe stina e ftohtë është periudha më e mirë për trajtimin e tyre.
Duke qenë se i ftohti në këtë stinë është i pashmangshëm, atëherë ajo që na mbetet është vetëm të kujdesemi dhe të marrim masat e duhura për të përballuar me sukses këtë stinë. /FamiljaJonë/