Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 58.088 raste nga 219.760 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.456 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 50.953 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.679.
“Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, sot kemi regjistruar 392 raste pozitive dhe rritje te rasteve të hospitalizuara. Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore”, thuhej në njoftimin për media.
IKSHPK thekson se numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Instituti përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”.
“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”.