Në komunikimin e rregullt nga larg me stafin qendror të Komitetit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), SBASHK ka prezantuar situatën aktuale në arsimin e Kosovës dhe vendimin e Këshillit Drejtues që nëse nuk përfillën kërkesat legjitime të anëtarësisë lidhur me nënshkrimin e Kontratës së re Kolektive dhe angazhimit të Qeverisë Hoti për një shtesë në pagat në sektorin e arsimit për arsye të rrezikshmërisë së lartë nga Covid, autorizohet kryetari e kryesia e SBASHK-ut për të filluar me veprime sindikale.
Kjo ka bërë që drejtorja e përgjithshme e këtij Komiteti ( ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë, Suzan Flcoken të mbajë një takim konsultativ nga larg me kryetarin Rrahman Jasharaj dhe stafin qendror të SBASHK-ut. Gjatë këtij takimi për një orë të tërë është bashkëbiseduar për situatën aktuale në arsimin e Kosovës dhe për angazhimet e vazhdueshme të SBASHK-ut që këto dy kërkesa të realizohen me dialog dhe përmes takimeve me institucionet, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut, shkruan Telegrafi.
Drejtorja e Komitetit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Suzan Flocken është shprehur se SBASHK-u gëzon respekt dhe vlerësohet lart për angazhimin në shërbim të anëtarësisë dhe për unitetin dhe kontributin edhe në aktivitete ndërkombëtare sindikale dhe se gëzon përkrahjen e fuqishme të ETUCE edhe në përpjekjet e radhës për të realizuar këto dy kërkesa legjitime dhe se ajo do të dërgoj shkresa zyrtare nga selia në Bruksel te institucionet e Kosovës duke kërkuar nga ata që në dialog me SBASHK-un të gjejnë zgjidhje meritore për këto dy kërkesa.
Në këtë takim nga larg është bashkëbiseduar dhe janë këmbyer informacione edhe lidhur me çështjen e vaksinimit dhe për çështje të tjera sindikale dhe drejtorja e Komitetit të Sindikatave të Evropës është shprehur se kudo në Evropë prioritet për vaksinim u duhet dhënë punëtorëve të arsimit ngase është vërtetuar se të punësuarit në këtë sektor janë nga më të prekurit e nga më të rrezikuarit nga Covid-19, njofton SBASHK-u.