Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Vaksinimi vlerësohet i nevojshëm edhe për personat që e kaluan COVID-19

Teksa një pjesë e botës ka filluar procesin e vaksinimit të qytetarëve me kurat e zhvilluara kundër COVID-19, duke u vënë prioritet punëtorëve shëndetësorë dhe shtresave më të rrezikuara, një pyetje specifike po shtrohet përherë e më shpesh.

A duhet t’i marrin dozat e vaksinave kundër COVID-19 edhe ata persona që veçse janë shëruar nga sëmundja e shkaktuar prej koronavirusit?

Përgjigjja sipas ekspertëve shëndetësorë është e prerë. Po.

Pa marrë parasysh se çfarë infeksioni kanë kaluar pacientët e prekur më herët, Qendrat Amerikane për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve kanë bërë të ditur se njerëzit duhet ta planifikojnë vaksinimin, kur për këtë gjë t’u vijë radha atyre.

“Është pyetje goxha e përhapur”, ka thënë specialisti i sëmundjeve infektive nga Johns Hopkins, mjeku Amesh Adalja. “Po, duhet të vaksinoheni”.

Pasi që një person shërohet, sistemi i tij imunitar duhet t’ia mundësojë që të mos sëmuret prapë.

“Sistemi juaj imunitar është në gjendje që ta identifikojë virusin dhe ta mbrojë veten”, ka thënë mjekia Saskia Popescu, eksperte e sëmundjeve infektive në Universitetin e George Masonit.

Image
Shkencëtarët ende nuk e dinë saktë se sa zgjat imuniteti nga infektimi i natyrshëm apo se sa i fortë është ai, ndonëse një studim i fundit ka sugjeruar se mbrojtja mund të zgjasë për disa muaj.

Është e pamundshme që të dihet se sa gjatë mund të jetë imun një person, ka thënë Prathit Kulkarni, ekspert i sëmundjeve infektive në Kolegjin e Mjekësisë Baylor. “Nuk ka kurrfarë mënyre për ta matur”.

Vaksinat, nga ana tjetër, janë të dizajnuara asisoj për të gjeneruar reagim imunitar më të qëndrueshëm dhe më optimal. Dhe duhet ta shtojnë çfarëdo imuniteti që ka pasur një person nga një infeksion, thonë ekspertët.

“Për shkak se jemi në këtë pandemi dhe nuk kemi gisht në të, qasja më e sigurt është vaksinimi”, ka thënë Kulkarni. “Nuk humbni asgjë dhe mund të përfitoni diçka”.

Nëse jeni infektuar gjatë tre muajve të kaluar, CDC-ja ka bërë të ditur se është në rregull nëse e shtyni vaksinimin po qe se doni që t’u lini radhë të tjerëve, pasi numri i vaksinave është i kufizuar.

“Nëse tregoheni të drejtë, sigurisht që i jepni përparësi personit që nuk është i mbrojtur”, ka thënë Adalja. \ AP

Youtube

Arkiva

Kategoritë