Altina Marmullaku
Disleksia është një çrregullim i të mësuarit që prek si fëmijët ashtu edhe të rriturit dhe ndikon në aftësinë për të lexuar, shqiptuar, shkruar dhe folur.
Mirëpo disleksia shfaqet në forma të ndryshme tek fëmijët dhe tek të rriturit, ndërsa shkaktarët e saj kanë të bëjnë me çrregullim që ka bazë neurologjike.
Në një intervistë për portalin Familja jonë, logopedia Urtina Baftiu na informon për simptomat e para të disleksisë, trajtimit të saj, dallimit të disleksisë tek të rriturit dhe tek fëmijët.
Çfarë është disleksia?
- Fjala “disleksi” vjen nga bashkimi i dy fjalëve greke “dys/lexis”, që “dys” do të thotë parregullsi, vështirësi, kurse “lexis” i referohet fjalës, duke shënuar kështu, vështirësi në lexim; me ngatërrimin e shkronjave, përceptimin e shtrembëruar të tyre dhe vështirësi për t’i lexuar. Zakonisht ndikon në njohjen e fjalëve, drejtshkrimin dhe aftësinë për të përputhur shkronjat me tinguj.
Çfarë e shkakton disleksinë?
- Disleksia nuk është e lidhur me inteligjencën por është një çrregullim që ka bazë neurologjike. Në bazë të statistikave rreth 60% deri në 70% mund të jetë edhe e trashëguar apo gjenetike. Ka një probabilitet shumë të lartë që prindërit, të cilët kanë pasur vështirësi në të nxënë apo në proceset e të mësuarit e të lexuarit, të kenë fëmijë që shfaqin probleme me disleksinë.
Si t’i njohim simptomat e disleksisë tek fëmijët dhe tek të rritur?
- Në baze të studimeve të vitëve të fundit shenjat e para të disleksisë mund të shfaqen që në vitet e para të jetës tek fëmijët që nuk i thonë fjalët e para deri në moshën 15 muajshe ose frazat e para deri në moshën 2 vjeç, ata fëmijë kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar disleksi. Sidoqoftë, jo të gjithë njerëzit me vonesa në të folur zhvillojnë disleksi.Një vonesë në të folur edhe vetëm një sugjerim që prindërit t’i kushtojnë vëmendje zhvillimit të gjuhës.
Disa nga shenjat tjera që duhet t’i kushtojmë vëmendje janë:
- Të gjendurit e vështirësuar në vargje kohore dhe hapësinore
- (majtas-djathtas; para-prapa; rradhitja e ditëve në javë ose muajve në vit)
- Vështirësi të mbajë mend atë që ka (sapo) lexuar
- Ngatërron vendndodhjen e numrave p.sh 59 e bën 95
- Vështirësi të thotë fjali të gjata
- Shkrimi i tij/saj lexohet më vështirësi (madje edhe nga vet ai/ajo)
- Ngatërron tingujt të cilët janë të ngjashëm vizualisht b me d, p me q,
- Nuk mundet të mësoj tabelën e shumëzimit
- Shtim apo leshim i shkronjave gjatë shkrimit psh:
- (dita-drita apo lepuri- lepri) etj
- Zëvendësim i rrokjeve në fjalë (televizor-letevizor)
- probleme për të kujtuar detaje, si emra dhe data,
- lexim i ngadaltë dhe me vështirësi.
Shkolla e mesme dhe Universiteti përfshijnë një seri të re sfidash për studentët me disleksi.
Pa trajtim, disleksia e fëmijërisë së disa njerëzve vazhdon edhe në moshën e pjekurisë. Të tjerët do të përmirësohen natyrshëm. Përveç shenjave që janë parë tashmë në fëmijëri, shenjat e disleksisë në moshën e rritur mund të përfshijnë:
- vështirësi e madhe për të lexuar
- lexim i ngadalët
- rrallë lexojnë nga qejfi
- shmangin leximin me zë të lartë në çdo situatë
- gjuhë e paqartë dhe jo precioze
- shqiptim i gabuar i emrave dhe vendëve
- fjalor i kufizuar
- mungojnë përgjigjjet e shpejta në biseda etj.
4. Si duhet të trajtohet disleksia?
Për fëmijët me probleme të mësuarit, sa më herët të veprohet, aq më lehtë trajtohet. Disleksia fillon dhe evidentohet që në momentin e parë kur fëmijët nisin arsimimin, kryesisht në klasë të parë, kur edhe përballen me shkronjat. Ka fëmijë që kalojnë në klasë të dytë apo edhe më lartë dhe një pjesë të shkronjave të alfabetit nuk i njohin, ose nuk i kuptojnë ndryshimet mes njëra-tjetrës. Kjo bën që këta fëmijë të kenë gjithmonë e më shumë rezultate të ulta në procesin arsimor, e për më tepër të evidentohen si fëmijë problematik ose shpesh herë edhe si dembela. Nëse niveli i leximit tek fëmijët tuaj është nën pritshmëritë e mësuesit, atehërë duhet të kontaktohet pediatri, oftalmologu, logopedi apo neurologu.
Nëse dyshoni se fëmiju juaj apo ju mund të keni disleksi të padiagnostifikuar, nuk është asnjëherë vonë për të kërkuar ndihmë.
Programet e arsimit për të rritur mund të ndihmojnë shumicën e njerëzve të përmirësojnë ndjeshëm aftësinë e tyre për të lexuar dhe shkruar në çdo moshë.
5. Çfarë duhet të bëjnë prindërit kur e kuptojnë qe fëmiju i tyre ka shenjat e para të disleksisë?
Disleksia është një çrregullim i vështirë për t’u diagnostikuar.Terapitë janë të shumëllojshme dhe afatgjate. Sot pothuajse të gjitha shkollat kanë psikologun e tyre, i cili në mënyrë rutine duhet të analizojnë problematikën e çdo fëmije për të kapur që në fillim problemet e ndryshme që mund të paraqesë çdo fëmijë.
Është shumë e rëndësishme mbështetja emocionale e fëmijës si në ambientet familjare, ashtu edhe shoqërore. Në përgjithësi këta fëmijë kërkojnë një trajtim të veçantë edhe në shkolla nga mësues profesionist në bashkëpunim me logopedin.
Këto janë problematika që zgjasin dhe që duan durim. E rëndësishme është që ato të kapën dhe të trajtohen në fillim dhe pa humbur kohë. Prandaj mos nguroni asnjëherë të bëni kontrollat rutinë të fëmijës tuaj tek mjeku specialist apo logopedi edhe kur mendoni se çdo gjë shkon mirë me fëmijën tuaj. /FamiljaJonë/