Numri i mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të kujdesit shëndetësor që po sëmuren me COVID-19 ka arritur nivelet e krizës dhe po pengon seriozisht luftën kundër pandemisë që po përshkallëzohet me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar, kanë paralajmëruar figura të larta të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS).
Sipas The Guardian, problemi i mungesës së stafit, për shkak të sëmundjes ose nevojës për t’u vetë-izoluar kur anëtarët e familjes rezultojnë pozitivë, gjithashtu ka filluar të pengojë programin e vaksinimit – pasi qeveria planifikon të vaksinojë 15 milionë njerëz më të rrezikuar deri nga mesi i muajit shkurt.
Në një letër drejtuar për anëtarët e saj, kryetari i Shoqatës Mjekësore Britanike, Chaand Nagpaul, zbuloi numrin e madh të stafit të goditur nga virusi.
“Ka mbi 46 mijë personel spitalor të sëmurë me COVID-19”, shkroi ai.
“Vetëm nëse fuqia punëtore e NHS-s arrin të menaxhojë mirë, ne do të jemi në gjendje të përmbushim rritjen e paparë të kërkesës që do të sjellin javët dhe muajt e ardhshëm, si dhe shpërndarja e programit të vaksinave që mbetet shpresa jonë e vetme për t’i dhënë fund kësaj pandemie të tmerrshme”, u shpreh Nagpaul duke theksuar nevojën që mjekët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Në të gjitha spitalet e vendit, operacionet e Mjekëve të Përgjithshëm dhe shtëpitë e kujdesit po raportojnë nivele jashtëzakonisht të larta të mungesës së stafit. Në qarkun Kent, një nga zonat më të goditura të Anglisë jug-lindore, besohet se mungon rreth 25 për qind e stafit klinik dhe administrativ.
John Allingham, drejtori mjekësor i komitetit lokal mjekësor, i cili përfaqëson mjekët e përgjithshëm në qark, tha në disa praktika gati sa gjysma e stafit po mungonin, gjë që po ndikonte në vaksinimet.
Martin Marshall, kryetari i Kolegjit Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm, tha se se edhe nëse i gjithë stafi të ishte në punë, nuk do të ishte e mjaftueshme për të kryer 2 milion injektime në javë.
“Tani kemi staf të mjaftueshëm për të shpërndarë furnizimet e limituara që i kemi. Por sigurisht që nuk kemi staf të mjaftueshëm për të kryer një program shumë më të madh brenda dy ose tre javësh”, u shpreh ai.