Dhjetë persona deri më tani kanë kërkuar ndihmë në QKUK si pasojë e lëndimeve gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike dhe “plumbave qorr”.
Kështu ka bërë të ditur kujestari në Qendrën Emergjente në QKUK, Adem Jaha, i cili thotë se një person është në gjendje të rëndë si pasojë e goditjes nga “plumbi qorr”, ndërsa një tjetër e ka dorën të amputuar për shkak të lëndimit nga mjetet piroteknike.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka kërkuar nga qytetarët që të festojnë në shtëpitë e tyre dhe të kenë kujdes të shtuar.
“Fatmirësisht mësuam nga ekipet kujdestare që numri i të lënduarve këtë vit është më i vogël krahasuar me vitet e mëhershme. Megjithatë ne do të dëshironim që fare të mos ketë lëndime të tilla. Prandaj edhe njëherë të gjithë qytetarëve të Kosovës urime Viti i Ri, por festoni dhe vazhdoni të qëndroni në familjet tuaja”, tha ai.