Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Personat e dhunshëm, më të prirur të festojnë me armë gjatë festave

Shkruar nga Fisnik Dajakaj

Kur jemi në prag të Vitit të Ri, padyshim se kudo mbizotëron atmosferë festive.

Festimet që bëhen për nder të cdo fundviti janë të ndryshme, por te një pjesë e njerëzve, festimi me armë dhe me mjete piroteknike po del të jetë një sjellje e përseritshme.

Sigurisht, festat me “zhurma” datojnë që nga kohërat e lashta dhe mendohej se veprimi i tillë largonte “shpirtat e këqinj”, por sot, kur gjëra të tilla nuk besohen, mënyrat e festimeve të tilla zënë vend dendur në shoqërinë kosovare.

E pyetur se cilat janë motivet që i shtyejnë njerëzit të festojnë në këtë formë, psikologia Antigona Sejdiu-Qena tha se këto lloj veprimesh janë kthyer në traditë, prandaj një sjellje e tillë vecse është marrë nga brezat e mëhershëm. Gjithsesi, ajo mendon këto sjellje kanë lidhshmëri me personalitetin. Sipas saj, emocionet shprehen ndryshe nga njerëz të ndryshëm dhe kjo ndikon që disa të jenë më euforikë në këtë aspekt.

Sejdiu më tutje u shpreh se festimi më armë dhe me mjete piroteknike është më e pranishme të njerëzit e dhunshëm dhe ata që kanë crregullime të personalitetit.

“Përdorimi i armëve dhe mjeteve shpërthyese  kryesisht lidhet me njerëz që shpesh janë të dhunshëm, njerëz me probleme të sjelljes, apo  çrregullime të personalitetit, etj”, shprehet ajo për portalin Familja jonë.

Veprimet e tilla, sipas psikologës, transmetohen lehtë te të tjerët, pasi mjedisi social luan një rol të madh në të mësuarit dhe të praktikuarit e dickaje.

“Sjellja e cila shihet nga dikush tjetër mësohet automatikisht dhe shërben si model i cili shpesh përvetësohet dhe përsëritet. Natyrisht, kjo vlen për mosha të ndryshme dhe nuk bën përjashtim asnjë moshë. Studimet nga psikologjia sociale tregojnë se nëse të “gjithë” (një shumicë apo një grup i caktuar i njerëzve) janë duke bërë një sjellje të caktuar, tendencat që të përfshiheni edhe ju në sjellje të tilla janë shumë të mëdha. Prandaj edhe mënyra e të festuarit në familjet tona do të jetë faktor kyç në mënyrën se si do të festojmë ne. Natyrisht, përveç ndikimit social, rëndësi të madhe ka edhe personaliteti, disponimi, ambienti, kultura, e shumë faktorë të tjerë”, shtoi ajo.

Të gjendur në këtë situatë, parandalimi i veprimeve të tilla është masa më e mirë që mund të ndërmarrim, për shkak të rrezikshmërisë që mund të sjellin armët dhe mjetet piroteknike, prandaj edhe Sejdiu bën thirrje që të festojmë qetë dhe me kujdes.

“Prandaj, është shumë me rëndësi të qëndrojmë të qetë, të dimë të festojmë, të dimë të gëzojmë dhe të shijojmë momentet e mira me familjarët e ta ulim numrin apo ta zhdukim tërësisht numrin e të lënduarve dhe aksidenteve gjatë festave”, përfundoi ajo

Youtube

Arkiva

Kategoritë