Kishte dalë nga shtëpia e tij në fshatin Rud të Malishevës, mbrëmjen e së shtunës. I shqetësuar, familjarëve ju kishte thënë se po shkon te lumi, por që nga aty nuk u kthye më. Familjarët kërkuan ndihmën e qytetarëve për ta gjetur 28-vjeçarin Jetmir Rudi. Gjatë së dielës, Policia pati dyshime se Jetmiri është rrëmbyer. Ai u gjet mbrëmjen e së dielës, i lidhur e i zhveshur, në mal në afërsi të shtëpisë. Por, krejt këtë ngjarje, po dyshohet se e ka inskenuar vetë. Gazeta Express të hënën ka qëndruar në Malishevë, nga ku sjell detaje të këtij rasti
Mëngjesin e së dielës, u përhap lajmi se Jetmir Rudin nga fshati Rud i Malishevës është zhdukur. Familja e tij e kishte lajmëruar rastin në Polici, si dhe kishte kërkuar nga qytetarët të lajmërojnë në një numër telefoni të cilin e kishin vënë në dispozicion.
Gjatë ditës, në Instagramin e Jetmirit u publikua një fotografi ku ai shihej i lidhur e i zhveshur në një mal. Madje, mbi fotografi ishte shkruar një mesazh që ngjallte dyshimet se atë e ka rrëmbyer dikush.
Pas kërkimeve që u bënë gjatë së dielës, në mbrëmje Jetmiri u gjet i lidhur e i zhveshur, njëjtë si në fotografinë që u publikua.
Ai u dërgua në Spitalin e Malishevës për trajtim mjekësor, pasi gjendja e tij emocionale nuk ishte e mirë.
Jetmiri kishte deklaruar se është goditur në kokë nga dikush.
Por, këto pretendime të tij i hedh poshtë raporti i mjekut, të cilin e ka siguruar Express, e ku thuhet se nuk vërehen shenja të dhunës në fytyrën apo trupin e Jetmirit.
Njëjtë ka deklaruar edhe mjeku kujdestar në Spitalin e Malishevës, Afrim Krasniqi.
“Parametrat i ka vitale. Ka qenë pak i shqetësuar, por nuk ka pasur shenja të dhunës”, ka deklaruar Krasniqi për Express.
Nga Malisheva, Jetmiri ishte dërguar në Prishtinë për trajtim të mëtejmë mjekësor, por edhe nga aty u lirua.
Prokurori Ali Uka, ka deklaruar për Express se dyshimet e deritanishme janë se rasti është i inskenuar dhe nuk ka të bëjë me rrëmbim.
“Ai është gjetur nga familjarët dhe është në familjen e tij. Rasti dyshohet se është inskenuar. Ai ka deklaruar se e kanë goditur në kokë dhe trup, por mjekët kanë konstatuar se nuk ka shenja të dhunës. Ai nuk ka qenë mirë psiqikisht, edhe më herët është trajtuar për probleme psikike”, ka deklaruar Uka.
Uka tha se edhe fotografia e postuar në Instagramin e Jetmirit ka qenë inskenim.
“Ka postuar fotografi në rrjete sociale, e ka postuar edhe një shirit me të cilin është gjetur i mbështjellë, por e ka larguar fotografinë”, ka deklaruar Uka.
Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka treguar për Express se si ka rrjedhur e tërë ngjarja.
“Rreth orës 09:00 të datës 22.11.2020 familjarët kanë raportuar rastin person i zhdukur ku sipas tyre viktima një ditë më parë, rreth orës 17:00 ishte larguar nga shtëpia dhe që atëherë nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rreth orës 14:00 policia në Malishevë ka marrë një informatë se dyshohet viktima mund të jetë rrëmbyer nga persona të panjohur”, ka deklaruar Graishta.
Ai ka thënë se pas ekzaminimeve të nevojshme, viktima është liruar për në shtëpi, ndërkohë që policia po vazhdon ta hetojë rastin.
“Të gjitha njësitet relevante i janë përgjigj rastit dhe kërkimi ka vazhduar deri në mbrëmje kur viktima është gjetur nga familjarët e tij afër fshatit. I njëjti është dërguar fillimisht në QKMF Malishevë për t’iu ofruar ndihma e parë e më pas në QKUK Prishtinë. Sipas mjekut viktima nuk ka lëndime të dukshme dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Pas ekzaminimeve të nevojshme viktima është liruar në shtëpi ndërkohë që policia po vazhdon me hetimin e rastit”, ka thënë Graishta për Express.
Graishta tha se lidhur me këtë rast janë intervistuar shtatë persona në cilësi të dëshmitarëve, si edhe vetë viktima.
Ai tha se deklaratat janë kundërthënëse, prandaj bazuar në këtë, mund të ketë rikualifikim të veprës penale.
“Aktualisht, rasti po trajtohet si person i zhdukur-i gjetur me dyshimet për rrëmbim. Deri më tani janë intervistuar 7 persona në cilësi të dëshmitarëve dhe vetë viktima. Dëshmitë dhe deklaratat në dispozicion janë mjaftë kundërthënëse andaj pas analizimit të provave, në bashkëpunim me prokurorin kompetent mund të kemi rikualifikim të veprës penale”, ka thënë Graishta.
Ndërkohë, burime të Gazetës Express kanë deklaruar se mesditën e së dielës (rreth orës 12:00) e kanë takuar Jetmirin në rrugë dhe e kanë përshëndetur.
Të njëjtat burime kanë thënë se në kohën kur e kanë takuar, Jetmiri mbante në duar një shirit (izolir), me të cilin më pas në fotografitë e publikuara është parë i lidhur.
Ndërkaq ai kishte deklaruar se ka qëndruar i lidhur e i zhveshur gjatë gjithë natës.
Express mëson se ky rast mund të rikualifikohet si inskenim, apo si deklarim i rrejshëm./GazetaExpress/