Kompania amerikane e ilaçeve, Pfizer, ka thënë të martën se e ka përfunduar testimi në njerëz të vaksinës së saj.
Kjo vaksinë është zhvilluar në bashkëpunim mes kompanisë amerikane dhe asaj gjermane “BioNTech” dhe të mërkurën zyrtarët e tyre deklaruan se vaksina është 95 për qind efektive, shkruan The Guardian.
Sidoqoftë, jo të gjithë pjesëmarrësit në testim kanë kaluar pa asnjë efekt anësor. Kompania tha se nga 8.000 pjesëmarrësit në fazën e fundit të testimit, 3.8 për qind e tyre kanë ndier lodhje pas vaksinimit.
Në një analizë të mëhershme të rezultateve nga 6.000 vullnetarë të vaksinuar, kompania kishte thënë se 3.7 për qind e tyre kanë përjetuar lodhje.
Përpos lodhjes, Pfizer-i gjithashtu njoftoi se së paku 2 për qind e personave të testuar kanë përjetuar kokëdhimbje pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.
Ndryshe, prodhuesi i ilaçeve tha se efikasiteti i vaksinës së zhvilluar në bashkëpunim me partnerin gjerman “BioNTech” është 95 për qind dhe është i qëndrueshëm te personat e moshave dhe etnive të ndryshme dhe se vaksina nuk ka efekte anësore të mëdha, shenjë që tregon se vaksina mund të ofrojë imunitet në nivel të gjerë global.
Efikasiteti i kësaj vaksine te personat mbi moshën 65-vjeçare,që janë më të rrezikuar nga koronavirusi, është mbi 94 për qind. /Familjajonë/