Shpesh ndodh që lidhja e fëmijës me një mik imagjinar të konsiderohet shqetësuese nga prindërit dhe mësuesit. Kjo frikë për fëmijën buron nga ideja se ai/ajo do të jetë i pashoqërueshëm në të ardhmën, pasi e ndien veten mirë në një mjedis virual, me miq që nuk ekzistojnë në botën reale.
E pyetur se a ka bazë reale kjo frikë, psikologia dhe profesoresha universitare, Mimoza Shahini, thekson se është e kundërta e asaj që mendohet nga prindërit dhe mësuesit. Sipas saj, fëmjët me shokë imagjinarë janë të prirur të jenë të shoqërueshëm me të tjerët, ndoshta edhe më shumë se ata të cilët nuk rrethohen me miq të tillë.
“Nuk ka asnjë korrelacion midis numrit të miqve imagjinarë dhe miqve të vërtetë që fëmija ka. Në fakt, fëmijët me miq imagjinarë priren të jenë më të shoqërueshëm sesa ata që nuk kanë patur një të tillë”, shprehet ajo për portalin Familja jonë.
Shahini më tutje shprehet se imagjinata, gjegjësisht miqtë jorealë që fëmija ka, i ndihmojnë atij në zhvillimin e kreativitetit dhe gjendshmërinë më të mirë në situata shoqërore. Pra, këta fëmijë janë të aftë të vendosin më lehtë veten në pozitë të tjetrit dhe ta përshkruajnë në përpikmëri personalitetin e tjetrit.
Një lidhje e tillë, mik imagjinar – fëmijë, sipas psikologës, realizohet nga vetë imagjinata e fëmijës. Kësisoj ndodh jo rrallë që fëmija ta ketë një mik të padukshëm ose kukull/lodër të cilëve u jep veti njerëzore dhe i përshkruan në atë mënyrë si i ka ndërtuar mendja e tij.
Sigurisht, është interesante të dihet se a ka dallime në mes gjinive në krijimin e imazhit të shokut imagjinar. Shahini shpjegon se te vajzat mund të jetë më shumë se një figurë imagjinare dhe shokët e tyre imagjinarë janë kryesisht bebe ose kafshë të vogla për të cilat tregojnë kujdes të madh.
“Në përgjithësi tendenca është që vajzat të kenë më shumë se një figurë imagjinare. Gjithashtu shihet se vajzat zakonisht zgjedhin bebe të vogla për të cilat përkujdesen, por mund të jenë edhe kafshë të vogla me të cilat janë shumë të kujdesshme dhe miqësore. Ndërkohë që djemtë përdorin më shumë figura të superheronjëve”, shtoi ajo.
Ndërkaq, në pyetjen se kur bëhet kjo shkëputje në mes fëmijëve dhe miqve imagjinarë, ajo u përgjigj se nuk ka kohë të caktuar. Kurse sa i përket asaj se kur duhet konsideruar shqetësuese këtë lidhje, Shahini u përgjigj se ka raste kur fëmijët nuk arrijnë ta dallojnë realitetin me imagjinaten, prandaj pikërisht këtu duhet të kihet kujdes.
Për fund, ajo theksoi se prindërit dhe mësuesit nuk duhet të ndërhyjnë ta prishin këtë lidhje. Sipas saj, e rëndësishme është që ata ta përdorin këtë imagjinatë të fëmijës për ta kuptuar më shumë botën e tij/saj dhe nevojat që ka. /familjajone