Sipas zbulimit të një studimi të ri, traumat e fëmijërisë si pasojë e prindërimit të pakujdesshëm, mund të shkaktojnë dëmtime strukturore në tru dhe rrisin mundësinë për depresion të rëndë.
Për herë të parë shkencëtarët kanë lidhur ndryshimet e strukturës së trurit me ngjarjet traumatike të fëmijërisë dhe shëndetin e dobët mendor në jetën e mëvonshme.
Studimi zbuloi një lidhje të rëndësishme midis të rriturve që kanë qënë të keqtrajtuar në fëmijëri me madhësinë e korteksit insular, pjesë e trurit që njihet për rregullimin e emocioneve.
Studimi është fokusuar kryesisht në një fenomen të quajtur “gjurmë në sistemin limbik”, të cilin shumë studime të mëparshme e kanë lidhur me stresin.
Në studim janë përfshirë 110 pacientë, mosha 18-60 vjeç, të hospitalizuar me çrregullim depresiv madhor, të cilët më pas u monitoruan në vazhdim për 2 vite për mundësinë e rishfaqjes së sëmundjes.
Ata iu nënshtruan një pyetësori të detajuar lidhur me traumën e fëmijërisë, i cili vlerësoi në mënyrë retrospektive incidentet e abuzimit fizik, neglizhimit nga prindërit, abuzimit emocional, neglizhimit emocional dhe abuzimit seksual. Më pas pacientëve iu krye skanimi i trurit MRI, me anë të të cilit evidentoheshin ndryshime në strukturën e trurit.
Doktor Nils Opel nga “Universiteti i Münster”, Gjermani, i cili udhëhoqi hulumtimin shpjegon se: “Duke pasur parasysh ndikimin e korteksit insular në funksionet e trurit të lidhura me emocionet, është e mundur që ndryshimet strukturore të trurit i bëjnë këta pacientë më pak sensitivë ndaj trajtimeve konvencionale”.
“Studimet e ardhshme psikiatrike duhet të shqyrtojnë se si gjetjet tona mund të përdoren klinikisht për një kujdes dhe trajtim të veçantë në mënyrë që të mund të përmirësojmë rezultatet e mjekimit te këta pacientë.”
Zbulimet e këtij studimi treguan se reduktimi i korteksit insular për shkak të ndikimit në sistemin limbik rrit ndjeshëm probabilitetin e rikthimit të sëmundjes dhe se keqtrajtimi dhe traumat në fëmijëri janë ndër faktorët më të rëndësishëm për zhvillim të depresionit madhor.