Fëmijët e shtrirë në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës do ta kalojnë kohën e tyre në një ambient më të ngrohtë dhe më të këndshëm, falë krijimit të një dhome të veçantë me lodra.
Kjo hapësirë është mundësuar përmes një iniciative vullnetare të ushtarëve të KFOR-it Italian, të cilët me përkushtim personal kanë kontribuar në pajisjen e saj me lodra për fëmijë, duke sjellë gëzim dhe lehtësim për të vegjlit që përballen me trajtime spitalore.
Përveç kësaj, një rol të rëndësishëm në gjallërimin e kësaj hapësire ka pasur edhe Shkolla e Artit në Pejë. Nxënëset e kësaj shkolle, nën udhëheqjen e drejtorit, kanë realizuar murale plot ngjyra dhe pozitivitet, duke e shndërruar dhomën në një ambient miqësor, kreativ dhe shpresëdhënës për fëmijët.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë kanë falënderuar të gjithë kontribuuesit, duke theksuar se bashkëpunime të tilla janë shembull i përkushtimit ndaj shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve.
“Krenohemi që kemi përkrahje nga këta bashkëpunëtor dhe kjo padyshim që është motiv shtesë në punën tonë,” thuhet në reagimin e Spitalit.













