Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top

Procedura e Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, e njohur si IVF pritet të funksionalizohet së shpejti, brenda dy jave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Shërbim ky i cili deri tani nuk ka qenë në dispozicion për pacientet.

Reparti tashmë është gati me të gjitha aparaturat e nevojshme. Ndërkaq stafi i cili është trajnuar dhe jashtë vendit, është në pritje të pacientëve të parë, të cilët do t’i nënshtrohen procedurës së IVF- it, për herë të parë në Klinikën e Gjinekologjisë.

Zef Ndrejaj drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK në një intervistë për “indeksonline”, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe se ky shërbim pritet të fillojë brenda dy jave.

“Procedurat e IVF po presim të fillojnë pas dy jave, ka mesi i dhjetorit. IVF është procedurë e gjatë. Nuk do të thotë që të gjitha intervenimet, të kryhen me një kontroll. Fillon me ekzaminimin e pacienteve, përzgjedhjen e tyre. Formohet lista e ngushtë, pastaj fillohet me procedurat e intervenimit. Puna me pacientë po besoj që do të fillojë brenda 2 – 3 jave. Jemi në fazen kur do të bëhet përzgjedhja e pacienteve, ekzaminimet, lista e ngushtë e pacienteve që do t’i nënshtrohet procedurës së IVF. Prej fillimit të porcedurës së ekzaminimit deri tek procedura e intervenimit, lypsen disa javë”, thotë Ndrejaj.

E pacientët nuk do të detyrohen më që për një procedurë të tillë , t’i drejtohen spitaleve private, për të shpenzuar mijëra euro. Pasi që kjo do të kryhet dhe në Kliniken Gjinekologjike të QKUK-së, tërësisht falas.

“Kjo është e mira, që kjo procedurë në institucionet private kushton me mijëra euro, deri në 3 mijë e 4 mijë euro. Ndërsa këtu në tërësi procedura prej ekzaminimeve, deri në procedurën e transferimit të qelizës së mbarësuar dhe mbetjes shtatzënë, është tërësisht pa pare, pa kosto. Të gjitha shërbimet dhe shpenzimet, janë në kuadër të shtetit. MSH e ka bërë një gjest të mirë, që të gjitha barnat që duhen për këtë proces, i ka futur në listen esenciale, që janë pa harxhim”, tha ai.

Por ende pa filluar procedura, interesimi për IVF në Gjinekologji është tejet i madh. Ndrejaj thotë se nuk ka ditë që gratë nuk drejtohen në këtë klinikë, për tu informuar për fillimin e procedurave.

“Interesimi është shumë i madh. Nuk ka ditë që nuk thërret në telefon ndonjë pacient, apo nuk vjen këtu për t’u interesuar kur fillon”, tha ai.

Ndrejaj thotë se për procedurën e IVF stafi tashmë është trajnuar jashtë vendit, por ka dhe nga ata të cilët kanë punuar dhe në klinikat private, të cilat kanë kryer IVF.

“Ka pasur disa trajnime dhe në Turqi. Por një pjesë e embriologëve që kanë punuar dhe nëpër klinika private, këtu një kohë të gjatë në IVF. Pastaj janë disa mjekë që trajnimet disa mujore i kanë kryer në Turqi. Stafi për fillimin e punës është mirë i trajnuar dhe po besoj që do të ketë sukses. Gjatë ecurisë së punës presim që të kemi dhe trajnime shtesë”, tha ai.

Por sfidë sipas Ndrejaj, mbetet furnizimi me gazra medicinal, i cili shpreson që do të sigurohet së shpejti.

“Jemi në pritje, kemi pak problem me gazrat medicinal, për të cilat kemi nevojë për IVF, e që janë në procedurë të tenderimit tash. Furnizimi një vjeçar, pritet të përzgjidhet kompania që do të bëjë furnizimin me gazra, janë gazra më specifik. Aty ndoshta është pak sfida, por besoj që do të tejkalohet në bashkëpunim me MSH dhe Drejtorinë Qëndrore”, tha ai.

Youtube

Arkiva

Kategoritë