Kirurgu Karan Rajan, i cili punon në instucionet shëndetësore në Britani, përmes llogarisë së tij në rrjetin social Instagram, ka paralajmëruar për rreziqet që sjell puthja e foshnjave.
Ky paralajmërim erdhi pas një studimi nga “The Lullaby Trust” që zbuloi se 54 për qind e prindërve të rinj dhe të ardhshëm nuk e dinin se puthjet mund të shkaktojnë infeksione të rrezikshme për foshnjat, ka shkruar ScienceAlert.
Por, pse është kaq e rrezikshme të puthet një foshnjë? Arsyeja kryesore është se sistemi imunitar i një foshnje ende nuk është zhvilluar plotësisht dhe nuk mund të luftojë infeksionet ashtu si ai i një të rrituri. Për tre muajt e parë, foshnjat kanë më pak qeliza imunitare që luftojnë infeksionet, gjë që i bën ato shumë më të ndjeshme ndaj infeksioneve që te fëmijët më të mëdhenj ose të rriturit mund të shkaktojnë simptoma të lehta.
Rreziqet nga infeksionet
Një nga infeksionet më të rrezikshme për foshnjat është virusi i herpesit. Te të rriturit, herpesi shkakton plagë të vogla (plasaritje apo çarje) në gojë e buzë, por te foshnjat, virusi mund të shkaktojë sëmundje shumë më serioze. Disa foshnja mund të kenë herpes vetëm në lëkurë ose gojë, por nëse virusi kalon në organet e brendshme të foshnjës, mund të jetë shumë serioz dhe madje fatal. Sa më i vogël të jetë një fëmijë, aq më i rrezikuar është nga ky virus, veçanërisht gjatë katër javëve të para pas lindjes.
Foshnjat janë gjithashtu më të ndjeshme ndaj infeksioneve bakteriale që nuk shkaktojnë probleme te të rriturit, si “Group B Streptococcus” (GBS) dhe “Ecoli”. GBS mund të shkaktojë sëmundje të rënda si pneumonia, meningjit, dhe sepsë, ndërsa Ecoli mund të shkaktojë infeksione të rënda që mund të kenë pasoja fatale.
Si të shprehet dashuria në mënyrë të sigurt për foshnjat?
Prindërit nuk duhet të ndiehen në siklet nëse kërkojnë nga vizitorët që të mos puthin ose prekin foshnjën e tyre. Ata që vërtet e duan fëmijën nuk do të ofendohen nga kjo kërkesë. Nëse duhet patjetër të puthni një foshnjë, këtu janë disa masa që mund të ndihmojnë për të reduktuar rrezikun nga infeksionet:
- Lani duar shumë mirë përpara se të prekni foshnjën.
- Mos puthni foshnjën në fytyrë ose gojë. Nëse duhet ta puthni, puthni këmbën ose pjesën e pasme të kokës, asnjëherë duart, sepse foshnjat i fusin në gojë!
- Mbuloni herpesin me anë të ndonjë flasteri, nëse keni, pasi herpesi është shumë i rrezikshëm për foshnjat.
- Nëse jeni të sëmurë, sidomos me një ftohje ose çrregullim të frymëmarrjes, është më mirë të mbani distancë dhe të përdorni një maskë,.
- Nëse jeni të sëmurë, konsiderojeni të mos e vizitoni foshnjën fare, sidomost nëse është nën një muaj.
“Puthja e foshnjave është një shenjë dashurie, por mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore për to”, ka theksuar doktori Rajan.
Ai ka shtuar se pavarësisht dashurisë që dikush mund të ndjejë për foshnjat, është e rëndësishme të kujdeset për sigurinë e tyre në radhë të parë dhe të sigurohet që t’i mbrojë nga çdo infeksion që mund të jetë i dëmshëm.Kirurgu tregon përse nuk duhet të puthen bebet