Rreth nëntë mijë qytetarë nga rajoni i Prishtinës janë vaksinuar kundër gripit sezonal, ndërkaq tre mijë doza të tjera janë ende në dispozicion. Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) iu bëjnë thirrje grupeve më të ndjeshme që të vaksinohen deri në fund të dhjetorit.
Grupet më të rrezikuara konsiderohen të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët shëndetësorë të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët.
Sipas punëtorëve shëndetësorë, shtimi i rasteve me grip sezonal në Kosovë është një shqetësim i zakonshëm për këtë periudhë të vitit – në temperatura të ulëta dhe kur aktivitetet kufizohen në ambiente të mbyllura.