Hemorroidet janë zgjerime dhe inflamime të venave në pjesën e poshtme të rektumit dhe anusit, që krijohen për shkak të presionit të shtuar në këtë zonë.
Ato mund të jenë të brendshme (të vendosura brenda rektumit) ose të jashtme (të dukshme rreth anusit).
Hemorroidet ndodhin kur indet që mbështesin venat rektale dobësohen ose tensionohen, duke shkaktuar grumbullim gjaku në vena, inflamacion dhe ndonjëherë prolaps (dalje jashtë).
Karakteristikat kryesore përfshijnë:
- Hemorroidet e brendshme zakonisht nuk janë të dhimbshme, por mund të shkaktojnë gjakderdhje gjatë defekimit.
-Hemorroidet e jashtme shpesh shoqërohen me dhimbje, kruarje dhe, në raste të avancuara, me formimin e droçkave të gjakut apo koagulave. (trombozë).
Ky çrregullim është një nga sëmundjet më të zakonshme të traktit digjestiv dhe ndikon në cilësinë e jetës së pacientëve, megjithëse rrallëherë është kërcënues për jetën.Megjithëse zakonisht nuk përbëjnë një rrezik serioz për jetën, ato mund të shkaktojnë shqetësime të konsiderueshme, si dhimbje, kruarje, djegie dhe gjakderdhje.
Kush preken nga hemorroidet?
Dr. Agon Bislimi tregon se nga hemorroidet preken njësoj burrat dhe gratë. Rreth 5% e popullsisë përjeton këtë gjendje, e cila është më e zakonshme te personat mbi moshën 50 vjeç, duke e bërë një problem të përhapur të shëndetit publik.
Shkaqet kryesore të hemorroideve
Dr. Agon Bislimi identifikon disa faktorë që kontribuojnë në zhvillimin e hemorroideve:
- Tensionimi i tepërt gjatë defekimit(zakonisht si pasojë e konstipacionit kronik).
- Qëndrimi i zgjatur në tualet, që shton presionin në venat rektale.
- Shtatzënia, për shkak të presionit të shtuar në zonën e legenit dhe ndryshimeve hormonale.
- Jetesa sedentare, përfshirë qëndrimin ulur për periudha të gjata në punë.
- Dehidratimi, i cili ndikon negativisht në funksionin e zorrëve.
- Dieta e varfër me fibra, që çon në kapsllëk.
- Obeziteti, që krijon presion shtesë në zonën e rektumit.
- Stresi, që ndikon negativisht në funksionin gastrointestinal.
Simptomat kryesore të hemorroideve
Simptomat kryesore të hemorroideve, të cilat mund të variojnë në intensitet, përfshijnë:
- Gjakderdhja– shpesh e freskët dhe e kuqe, që mund të shfaqet mbi jashtëqitjen, në letrën higjienike ose në tualet.
- Dhimbjet– kryesisht gjatë ose pas defekimit.
- Kruarja dhe djegia– një ndjesi shqetësuese dhe shpesh e vazhdueshme në zonën anale.
- Prolapsi i hemorroideve– dalja e tyre jashtë kanalit anal, në varësi të shkallës së përparimit.
Klasifikimi i hemorroideve sipas gradës apo shkallës së tyre
Dr. Agon Bislimi thekson se hemorroidet ndahen në katër grada:
- Grada 1: Hemorroidet janë të fryra, por nuk dalin jashtë anusit dhe zakonisht nuk kërkojnë trajtim kirurgjikal.
- Grada 2: Hemorroidet prolabojnë gjatë defekimit ose aktivitetit fizik, por kthehen spontanisht. Trajtimi kirurgjikal mund të jetë i nevojshëm në disa raste.
- Grada 3: Prolaps i vazhdueshëm, që mund të kthehet vetëm me dorë ose ndërhyrje mjekësore. Në shumicën e rasteve, rekomandohet kirurgjia.
- Grada 4: Hemorroidet mbeten të dala jashtë, shpesh janë të dhimbshme dhe gjakderdhin. Këto raste kërkojnë ndërhyrje kirurgjike të domosdoshme.
“Hemorroidet janë një problem i zakonshëm, por shpesh tabu. Kujdesi për shëndetin tonë nuk është turp; është një akt respekti ndaj vetes,” thotë Dr. Agon Bislimi, duke nxitur njerëzit të kërkojnë ndihmë mjekësore pa hezitim.
Trajtimi i hemorroideve përfshin:
- Masat parandaluese , si konsumimi i fibrave, hidratimi dhe rritja e aktivitetit fizik.
- Mjekimi farmakologjik, përfshirë kremrat dhe supozitorët për lehtësimin e simptomave.
- Trajtimet kirurgjikale, për rastet e avancuara.
Shëndeti është pasuria më e madhe e njeriut; ruajeni atë me përkushtim dhe pa ndrojtje.
Shkruar nga: Dr. Agon Bislimi