Për të mërkurën parashikohet fillimisht gjatë orëve të para të 24-orëshit të ketë reshje lokale shiu, të cilat vende-vende do të jenë në formë të rrebesheve.
Dita do të vijojë me diell e vranësira, ku vranësirat më të shtuara mbesin në Rrafshin e Dukagjinit, përderisa reshjet e izoluara të shiut mund të vazhdojnë të paraqiten gjatë pjesës së parë të ditës, veçanërisht në zonën jugperëndimore dhe perëndimore.
Gjatë orëve të pasditës, sidomos në mbrëmje, pritet gradualisht intesifikim i reshjeve edhe në zonat e tjera, ku më pas, në orët vijuese të mbrëmjes, parashihet të përfshijnë të gjithë vendin, lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Pra, reshjet fillimisht do të nisin në formë të shiut, ndërsa me ardhjen e frontit të ftohtë në mbrëmje, pritet të shndërrohen në ato të borës. Zonat e para të cilat do të përfshihen nga reshjet e borës do të jenë veriu dhe verilindja, ndërsa pas mesnate si dhe në mëngjesin e së enjtes, pritet të përfshijnë një pjesë më të madhe të vendit, kur edhe parashihet të ndërpriten atëherë. Bora pritet të krijojë edhe shtresa, më të dendura në verilindje të vendit.
Era do të fryjë nga jugu dhe jugperëndimi, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos në orët e mbrëmjes, me shpejtësi prej 15-80 km/h. Erërat më të forta parashihen të jenë në zonën jugperëndimore, si dhe në zonat e larta malore. Mirëpo, gjatë kalimit të frontit të ftohtë, në momente të caktuara mund të jetë mjaft e fortë edhe në zonat e tjera të Kosovës.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 12 deri në 16°C. /MeteoKosova/