Mjekët kanë nisur një studim për të kuptuar pse disa pacientë me kancer mbijetojnë shumë më gjatë se sa pritej edhe pas diagnostikimit me disa nga format më agresive të sëmundjes.
Ky kërkim synon të zbulojë trajtime të reja duke analizuar faktorët që i bëjnë disa pacientë të mbijetojnë më gjatë.
Studimi “Rosalind”, i quajtur kështu për nder të shkencëtares britanike Rosalind Franklin, ka për qëllim të kuptojë pse disa pacientë me kancer më agresiv si kanceri i mushkërive, kanceri i trurit, glioblastoma, dhe ai i pankreasit mbijetojnë shumë më gjatë se sa parashikohet, ka shkruar The Guardian.
Studimi po drejtohet nga një ekip kërkimor në 8 qendra për trajtimin e kancerit që punojnë në kuadër të institucioneve shëndetësore në Britani, me pjesëmarrës nga spitale të mëdha në mbi 40 shtete të botës.
Ky kërkim përqendrohet te pacientët që kanë mbijetuar shumë më gjatë sesa pritej.
Në përgjithësi, shumica e pacientëve me këto lloje kanceresh jetojnë vetëm 2-3 vjet pas diagnostikimit, por rreth 3-5 për qind mbijetojnë shumë më gjatë. Të kuptuarit e arsyeve për këtë mund të çojë në krijimin e trajtimeve më të mira për pacientët e tjerë me kancer.
Kërkuesit do të mbledhin informacione të detajuara biologjike nga 1,000 pacientë dhe tumoret e tyre, duke analizuar ADN-në, proteinat e gjakut, biomarkerët dhe mikrobet.
Ata shpresojnë që këto të dhëna të zbulojnë arsyet pse disa pacientë mbijetojnë më gjatë.
Disa mund të kenë mbijetuar për shkak të karakteristikave gjenetike të tumoreve të tyre, ndërsa të tjerë mund të kenë imunitet më të fuqishëm, i cili shkatërron qelizat kancerogjene.
“Ne nuk presim që pacientët me këto kancere të jetojnë më shumë se 2 ose 3 vjet, por rreth 3-5 për qind mbijetojnë për më shumë. Kjo na ka hutuar gjithmonë, pse këta pacientë janë ende gjallë? A ka diçka në tumoret ose gjenetikën e tyre që i bën më të aftë për të luftuar këtë kancer?”, ka thënë onkologia, Thankama Ajithkumar, nga spitali i Cambridgeit.
Një arsye për mbijetesën e këtyre pacientëve mund të jetë prania e ndryshimeve gjenetike që i bëjnë tumoret e tyre më të ndjeshëm ndaj trajtimeve të kancerit. Disa mund të kenë imunitet më të aftë të shkatërrojnë qelizat kancerogjene.
“Të kuptuarit pse trajtimet ndikojnë ndryshe te pacientët me të njëjtin lloj kanceri është shumë e rëndësishme. Kjo mund të çojë në zhvillimin e terapive më efektive për pacientët me kancer më të vështirë për t’u trajtuar”, ka thënë doktoresha Hattie Brooks, nga “Cancer Research” në Britani.
Gjetja dhe monitorimi i këtyre pacientëve është sfidë. Në Britani, pacientët që janë ende të shëndetshëm pas pesë vjetësh zakonisht lëshohen nga spitali, që e bën më të vështirë ndjekjen e progresit të tyre pas kësaj periudhe.
“Gjetja e këtyre pacientëve do të jetë problem i madh. Megjithatë, ekipi kërkimor është duke punuar për të mundësuar gjetjen dhe monitorimin e sa më shumë prej tyre”, ka shpjeguar Ajithkumar.
Shpresat për të ardhmen
Nëse ky studim është i suksesshëm, mund të hapë mundësi për zhvillimin e trajtimeve të reja për kanceret agresive që tani kanë mundësi të pakta për trajtim. Të dhënat do të ruhen në një bazë të dhënash të drejtuar nga Cure51, një “startup” francez që po financohet nga Sofinnova, një firmë investimesh me bazë në Paris.
“Ne e dimë që këta pacientë mbijetojnë. Duhet të kuptojmë pse dhe të zbulojmë mekanizmat që i bëjnë ata të mbijetojnë. Nëse e arrijmë këtë, ka mundësi të kontribuojmë në zhdukjen e kancerit”, ka thënë Nicolas Wolikow, drejtor i Cure51.
Ani pse studimi “Rosalind” është ende në fazat e para, ai përfaqëson një hap të rëndësishëm për të kuptuar pse disa pacientë me kancer mbijetojnë shumë më gjatë se sa parashikohet. Ky studim mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja që ofrojnë shpresë për të tjerët që vuajnë nga këto kancere agresive.
“Studime si ky janë veçanërisht të dobishme për kanceret të cilave pak persona u mbijetojnë për më shumë se 10 vjet. Ky mund të jetë një hap i rëndësishëm për trajtime të reja ndaj kancereve agresive”, ka thënë Brooks.