Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Çka duhet ditur për kimikalet mikroplastike

Kimikalet e dëmshme mikroplastike, si ftalatet, BPA dhe PFAS janë të pranishëm në shumë produkte që përdoren çdo ditë. Nga ushqimet dhe paketimet deri te produktet e higjienës personale, këto substanca mund të kenë ndikime të dëmshme për shëndetin e njeriut.

The Washingtin Post ka shkruar se çfarë duhet ditur për secilën prej tyre dhe pse janë shqetësuese.

Mikroplastika

Çka janë: Mikroplastikat janë fragmente të vogla plastike që  u referohen grimcave më të vogla se 5 milimetra, dhe ndahen edhe në nën-kategorinë nanoplastikë (më të vogla se 1 mikrometër). Këto fragmente mund të bëhen nga shumë lloje plastike dhe mund të krijohen natyrshëm kur plastika shkatërrohet.

Ku gjenden: Mikroplastikat janë përdorur qëllimisht në produkte të kozmetikës, detergjentë, dhe sera. Ata gjithashtu krijohen nga dëmtimi i produkteve plastike, siç janë rrobat sintetike, gomat e makinave dhe qeset plastike. Edhe kur plastika nuk është më e dukshme, ato copëza mund të shndërrohen në mikroplastikë që shpërndahet në mjedis.

Pse janë shqetësuese: Mikroplastikët mund të dëmtojnë shëndetin, duke shkaktuar inflamacion që është i lidhur me sëmundje të zemrës dhe të zorrëve. Po ashtu, ato mund të bartin kimikale të tjera të dëmshme, si pesticide dhe metale të rënda në trupin e njeriut

“Kemi prova që mikroplastikat mund të kalojnë nëpër barrierat e trupit, siç është placenta dhe të ndikojnë edhe te bebet”, ka thënë James Rogers, drejtori i testimeve të sigurisë ushqimore në Consumer Reports.

Ftalatet

Çka janë: Ftalatet janë kimikale që përdoren për të bërë plastikën më fleksibile dhe të qëndrueshme. Ato përdoren gjithashtu si stabilizues në disa produkte të kozmetikës.

Ku gjenden: Ftalatet mund të gjenden në shumë produkte si dyshemeja e krijuar nga materiali “vinyl”, tubacione mjekësore, si dhe disa produkte kozmetike si shampo dhe sapunë. Ato janë gjithashtu të pranishme në paketimet e ushqimeve.

Pse janë shqetësuese: Ftalatet janë njohur si pengues të gjëndrës endokrine, që do të thotë se mund të ndikojnë në funksionin hormonal të trupit. Kjo mund të çojë në probleme riprodhuese si ulja e numrit të spermatozoideve dhe lindjet e parakohshme.
“Ftalatet janë kaq të përhapura sa që shumë njerëz kanë nivele të tyre në trup”, ka thënë Rogers. 
Këto kimikale mund të dëmtojnë shëndetin, sidomos te fëmijët që janë më të ndjeshëm ndaj ndikimit në hormone.

BPA dhe Bisfenolë të tjerë

Çka janë: BPA (Bisfenol-A) është një kimikal që përdoret për të prodhuar plastika të forta, siç janë ato për shishe uji dhe kuti plastike ushqimi.

Ku gjenden: BPA gjendet në plastikat e forta, si shishet e ujit, gotat dhe kutitë e ushqimeve të konservuara. Shumë produkte tani reklamohet si “BPA-free” (pa përmbajtje të BPA-së) por shpesh ato përdorin bisfenole të tjerë që mund të kenë efekte të ngjashme në shëndet.

Pse janë shqetësuese: BPA është një tjetër substancë që ndërhyn në sistemin hormonal dhe është lidhur me probleme riprodhuese, ndryshime në metabolizëm dhe zhvillim të hershëm të yndyrës trupore. 
“Kjo është veçanërisht shqetësuese për fëmijët, sepse BPA mund të ndikojë në zhvillimin e trupit të tyre”, ka thënë Philip Landrigan, pediatër në Boston College.

PFAS (Kimikalet e përjetshme)

Çka janë: PFAS janë një grup kimikalesh që quhen kimikale të përjetshme për shkak se ato janë shumë të qëndrueshme dhe nuk asgjësohen lehtësisht në natyrë. Ato përdoren për të bërë produkte rezistente ndaj ujit, yndyrës dhe nxehtësisë.

Ku i gjenden: PFAS janë përdorur në produkte si tenxheret jongjitëse, mbështjellësit e ushqimeve të papërshkueshme nga yndyra, veshjet dhe tekstilet rezistente ndaj ujit, dhe edhe në disa produkte të kozmetikës.

Pse janë shqetësuese: PFAS janë të lidhura me një numër sëmundjesh, duke përfshirë sëmundjet e sistemit imunitar, problemet me gjëndrën tiroide dhe disa lloje të kancerit.
“PFAS janë të vështira për t’u shmangur, pasi janë përhapur shumë dhe mund të ndodhen në ujë dhe ushqime”, ka thënë Rogers. 
Ky grup kimikalesh është gjithashtu i lidhur me dëmtime të mëlçisë dhe veshkave.

Çka mund të bëjnë njerëzit për ta shmangur ekspozimin ndaj tyre?

Zgjedhja e produkteve: Duhet të përdoren produkte pa BPA, ftalate, dhe PFAS kur është e mundur. Duhet të shikohen me vëmendje etiketat që thonë “BPA-free” ose “phthalate-free”, por duhet të dihet gjithashtu se disa zëvendësues mund të kenë efekte të ngjashme.

Kujdes me plastikën: Duhet zgjedhen produkte nga materiale natyrale, si fibra natyrale, për të reduktuar kontaktin me mikroplastika.

Rregullat e reja: Disa vendime ligjore do të hyjnë në fuqi për të kufizuar përdorimin e këtyre substancave, si ndalimi i përdorimit të PFAS për paketimet ushqimore në SHBA deri në vitin 2025.

Njohja me këto kimikale dhe mundësitë për t’i shmangur ato mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe të mjedisit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë