Shënohet Dita Botërore e Diabetit
Çdo vit më 14 Nëntor, bota shënon “Ditën Botërore të Diabetit”, e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për këtë sëmundje dhe të promovojë rëndësinë e aksesit të barabartë në kujdesin shëndetësor.
Në këtë vit, kjo ditë shënohet me moton “Qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor” dhe thekson rëndësinë e sigurimit të mundësive të barabarta për të gjithë individët për të aksesuar kujdesin shëndetësor.
Diabeti mellitus është një grup sëmundjesh që ndikojnë në mënyrën se si trupi përdor sheqerin në gjak (glukozën), një burim kryesor energjie për trupin dhe trurin. Pa marrë parasysh llojin e diabetit, kjo sëmundje mund të çojë në nivele të larta të sheqerit në gjak, duke shkaktuar probleme serioze shëndetësore.
Sipas statistikave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), rreth 422 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga diabeti, dhe shumica e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Çdo vit, 1.5 milionë vdekje janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë sëmundje. Për më tepër, prevalenca dhe numri i rasteve të diabetit kanë treguar një rritje të vazhdueshme gjatë dekadave të fundit, Ndërsa, sipas të dhënave nga “Analiza e gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë 2022”, e publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në raportin e morbiditetit të vitit 2021, numri i personave të identifikuar me diabet është 9,138 deri në 9,757, prej të cilëve 7,302 janë të prekur nga diabeti i pavarur nga insulina (Diabet tip 2) dhe 2,455 nga diabeti i varur nga insulina (Diabet tip 1). Po ashtu, 4,148 persona janë të prekur nga diabeti i varur nga insulina dhe 5,302 nga diabeti i pavarur nga insulina.
Bazuar në të dhënat e fundit, nevojitet rritje e ndërgjegjësimit, përmirësimin e qasjes në trajtim dhe kontrollin e diabetit, si dhe për fuqizimin e masave parandaluese, veçanërisht në vendet me resurse të kufizuara, Kështu që, le të kontribuojmë të gjithë për të luftuar diabetin dhe për të siguruar një të ardhme më të shëndetshme.