Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Trajnimi i mbështetur nga Fullbright dhe AMC rreth kujdesit neonatal përfundoi me sukses

Trajnimi për Sistemin e Referimit Neonatal, i organizuar nga Action for Mothers and Children (AMC) dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës- Klinika e Neonatologjisë në bashkëpunim me Fulbright Program, shënoi një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor për foshnjat në Kosovë. Ky trajnim tre ditor, organizuar së bashku me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), synonte të rrisë kapacitetet profesionale të infermierëve dhe neonatologëve në menaxhimin e rasteve kritike që kërkojnë reanimacion neonatal dhe të përmirësojë referimin efikas të foshnjave që janë në rrezik.

Ekspertët e mirënjohur nga ShBA, Dartmouth College, Dr. George Little dhe znj. Victoria A. Flanagan, ndanë përvojën e tyre të gjerë për të standardizuar praktikat e reanimacionit neonatal dhe për të forcuar sistemin e referimit. Pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin pjesë në diskutime interaktive për të kuptuar më mirë sfidat ekzistuese dhe për të sugjeruar përmirësime konkrete në kujdesin neonatal. Trajnimi adresoi disa nga nevojat më urgjente në Kosovë, ku shkalla e vdekshmërisë foshnjore mbetet më e larta në Evropë, kryesisht për shkak të mungesës së trajnimit të specializuar dhe kapaciteteve infrastrukturore.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj përpjekjeje ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë me Oda e Mjekëve të Kosovës. Në takimin e mbajtur midis drejtoreshës së AMC-së, Rina Demiri Spahija, dhe Kryetarit të Odës së Mjekëve, Dr. Pleurat Sejdiu, u diskutua rëndësia e trajnimeve të vazhdueshme për profesionistët shëndetësorë dhe u identifikuan mundësitë për seminare dhe punëtori të tjera për të forcuar sistemin shëndetësor. Në shenjë mirënjohjeje, Dr. Sejdiu dorëzoi mirënjohje për Dr. Little dhe znj. Flanagan, duke nënvizuar kontributin e tyre të çmuar. Në vijim, u organizuan vizita monitoruese në spitalet rajonale të Gjakovës, Ferizajt, Prizrenit Gjilanit dhe Mitrovicës  dhe Vushtrrisë për të vlerësuar zbatimin e njohurive të reja dhe për të identifikuar nevojat e tjera për përmirësim.

Pas përfundimit të trajnimit, AMC mirëpriti përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë për të diskutuar mbi trajnimin për Sistemin e Referimit Neonatal, të organizuar me datat 25-28 tetor. Gjatë takimit, u shqyrtuan sfidat me të cilat përballen profesionistët shëndetësorë dhe angazhimi i tyre i vazhdueshëm për të ofruar kujdes cilësor. Përfaqësuesit e Ambasadës ritheksuan mbështetjen e tyre për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë përmes programit Fulbright.

Këto aktivitete janë pjesë e iniciativave të vazhdueshme nga AMC për të mobilizuar palët institucionale dhe për të krijuar një sistem të fuqishëm të referimit neonatal, duke siguruar që çdo foshnjë në rrezik të marrë kujdesin e nevojshëm në kohën e duhur. Ndërhyrjet shumësektoriale, që përfshijnë përkushtimin e donatorëve ndërkombëtarë dhe mbështetjen e institucioneve qeveritare, janë thelbësore për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe foshnjave në Kosovë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë