Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Protezat e gjirit sigurohen nga ShSKUK e Ministria e Shëndetësisë

Klinika e Kirurgjisë Plastike ka kohë që u del në ndihmë grave që e kanë mposhtur kancerin e gjirit. Në këtë klinikë, u vendosin proteza grave që duan të ndihen më mirë pas sëmundjes së rëndë.

Kirurgjia plastike për të katërtin vit ka nisur t’u ndihmojë grave të prekura nga kanceri, në rikonstruktimin e gjirit. Kirurgia Havushe Ramadani tha se po u ndihmojnë intensivisht grave të cilat e kanë mposhtur sëmundjen e kancerit të gjirit, që t’i nënshtrohen procesit të operimit për rikonstruktimin e gjirit.

“Derisa vjen te kirurgu plastik, përafërsisht ne e kemi marrë si mesatare diku 2 vjet për të kaluar prej procesit që diagnostikohen dhe e përfundojnë procesin e trajtimit të sëmundjes. Pas 2 vjetëve mund të lajmërohen te kirurgu plastik për korrigjim të gjirit apo për rekonstrukcion të gjirit”, tha për RTK, Havushe Ramadani, kirurge plastike në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.

Ramadani thotë se proteza, e cila është në përbërje silikoni, përdoret në të gjithë botën.

“Fillimisht e vendosim një ekspander, i cili është një lloj proteze, mirëpo ai mbushet me tretësirë fiziologjike, vendoset fillimisht te pacientja e çdo javë e mbushim me tretësirë fiziologjike, derisa na, si operatore, konstatojmë që kemi arritur volumentë të mjaftueshëm të lëkurës për të bërë rikonstrukcion pastaj me protezë të përhershme. Pastaj 2 deri 3 muaj kur konstatohet që është mjaftueshëm, atëherë bëhet akti i dytë operator, largimi i ekspanderit, pastaj vendoset proteza e përhershme”, tha kirurgia Ramadani.

Shefi i Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Agim Berisha, thotë se me gjithë rritjen e operimeve të pacienteve, problem mbetet mungesa e anesteziologëve.

 “Kemi filluar me 3 deri 5 pacientë brenda javës, ka pasur javë që i kemi ngritur edhe 2 ditë operacione prej numrit më të madh. Kërkesat janë për rritjen e numrit të pacientëve për tretman të kancerit të gjirit, por jemi të detyruar mos të rrisim shumë, për shkak se kemi problem me ekip të anestezionit që krejt QKUK-ja e dinë. Do të thotë pa anestezion nuk mund të kryhen këto lloj operacionesh”, tha Berisha.

Pacientet, të cilat u nënshtrohen këtyre ndërhyrjeve, nuk dëshirojnë të flasin për këtë trajtim. Protezat sigurohen nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar dhe Ministria e Shëndetësisë, kurse pacientet nuk paguajnë asgjë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë