Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Çka është Apneja e Gjumit, çrregullimi i heshtur ? – Intervistë me Dr. Shukri Salihi

Albina Selmanaj

Apneja e gjumit është një çrregullim serioz që prek miliona njerëz në të gjithë botën, por shpesh mbetet e padiagnostikuar dhe e patrajtuar. Ky çrregullim karakterizohet nga ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit, të cilat zgjasin disa sekonda deri në minuta dhe shkaktojnë ndërprerje të gjumit dhe përgjumje ditore.

Për t’i sjellë lexuesve të FamiljaJonë informacion të plotë mbi këtë temë, kemi realizuar një intervistë me Dr. Shukri Salihi, otorinolaringolog me përvojë dhe ekspert në trajtimin e apnesë së gjumit. Në këtë intervistë, Dr. Salihi ndan njohuritë e tij profesionale dhe shpjegon shkaktarët e apnesë së gjumit, simptomat kryesore që pacientët duhet të njohin, dhe opsionet e ndryshme të trajtimit që ofrohen për ta menaxhuar këtë gjendje.

Kjo intervistë përmban këshilla dhe njohuri të vlefshme që do të ndihmojnë lexuesit të jenë të informuar dhe të ndërgjegjshëm për rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm të apnesë së gjumit, duke promovuar kështu një jetë më të shëndetshme për të gjithë.

INTERVISTA E PLOTË:

1. Çfarë është apneja e gjumit dhe mekanizmat që e shkaktojnë këtë gjendje? Si ndikon në cilësinë e gjumit dhe shëndetin e përgjithshëm të pacientit?

Apneja e gjumit është një çrregullim i frymëmarrjes që ndodh gjatë gjumit, ku frymëmarrja ndalon për disa sekonda deri në minuta. Mekanizmat kryesorë që e shkaktojnë këtë gjendje janë bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes për shkak të tkurrjes së muskujve në pjesën e pasme të fytit (Apnea Obstruktive), ose mosdërgimi i sinjaleve të duhura nga truri për të kontrolluar frymëmarrjen (Apnea Qendrore). Kjo ndërprerje çon në zgjime të përsëritura gjatë natës, duke ndikuar në cilësinë e gjumit dhe duke shkaktuar lodhje kronike. Afatgjatë, apneja e gjumit mund të dëmtojë shëndetin e përgjithshëm, duke shkaktuar probleme si hipertension, sëmundje të zemrës dhe diabet.

2. Cilat janë simptomat më të zakonshme te pacientët me apne të gjumit, dhe si mund një person të kuptojë nëse ka apne të padiagnostikuar?

Simptomat më të zakonshme përfshijnë gërhitje të fortë, zgjime të përsëritura gjatë natës me ndjenjë mbytjeje, lodhje ditore, dhimbje koke në mëngjes, dhe përgjumje gjatë ditës. Një person mund të kuptojë nëse ka apne të padiagnostikuar nëse përjeton këto simptoma ose nëse partneri i gjumit vëren episode ku frymëmarrja ndërpritet për periudha të shkurtra gjatë gjumit.

3. Cilat janë faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e apnes së gjumit? A janë disa njerëz më të predispozuar ndaj kësaj gjendjeje për shkak të gjenetikës apo stilit të jetesës?

Faktorët kryesorë të rrezikut për apnen e gjumit përfshijnë obezitetin, moshën e avancuar, gjininë mashkullore, gjenetikën (historia familjare), përdorimin e alkoolit ose sedativëve, dhe strukturat anatomike të zgavrës së gojës dhe fytit që mund të ngushtojnë rrugët e frymëmarrjes. Gjithashtu, njerëzit me hipertension dhe diabet janë më të predispozuar të kenë apne të gjumit.

4. Cilat janë trajtimet më efektive për apnen e gjumit? Si funksionojnë pajisjet si CPAP, dhe a ka ndonjë alternativë për pacientët që nuk e tolerojnë atë?

Trajtimi më i zakonshëm për apnen e gjumit është pajisja CPAP (Continuous Positive Airway Pressure), e cila funksionon duke dërguar një rrjedhë të vazhdueshme ajri në rrugët e frymëmarrjes për t’i mbajtur ato të hapura gjatë gjumit. Alternativa për CPAP përfshijnë pajisje orale që vendosen në gojë për të rregulluar pozicionin e nofullës dhe gjuhës, kirurgjinë për të zgjeruar rrugët e frymëmarrjes Perden e hundës,(Septumin).Tek fëmijet është Adenoids qe shkakron probleme gjat gjumitë ( gjuhen e popullit i thon kreniku i tretë) dhe indikohet per operim.

5. Si ndikon apneja e gjumit në sëmundjet e tjera shëndetësore si hipertensioni, sëmundjet e zemrës dhe diabeti? A ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë midis tyre?

Apneja e gjumit lidhet drejtpërdrejt me një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë hipertensionin, sëmundjet e zemrës dhe diabetin. Ndërprerjet e frymëmarrjes gjatë gjumit shkaktojnë rritje të presionit të gjakut dhe stresi oksidativ, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e hipertensionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare për shkak të përgjumjes.

6. Përveç përdorimit të pajisjeve CPAP, cilat janë opsionet e tjera të trajtimit, si ndryshimet në stilin e jetesës, kirurgjia, ose pajisjet orale për të përmirësuar rrugët e frymëmarrjes?

Përveç CPAP, trajtimet përfshijnë humbjen e peshës për pacientët me obezitet, ndalimin e pirjes së duhanit dhe konsumit të alkoolit, dhe trajtimin e alergjive që mund të kontribuojnë në bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes. Kirurgjitë për të korrigjuar anomalitë anatomike, si tonsilektomia ose uvulopalatopharyngoplastika (UPPP), mund të jenë të dobishme për disa pacientë. Pajisjet orale që ndryshojnë pozicionin e nofullës ose gjuhës janë gjithashtu një alternativë e njohur.

7. Sa ndikon pesha e trupit në apnen e gjumit? A mund të përmirësohen simptomat nëse pacientët humbasin peshë?

Pesha e trupit luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe përkeqësimin e apnes së gjumit, veçanërisht te pacientët obezë. Humbja e peshës mund të ndihmojë në reduktimin e yndyrës së grumbulluar rreth qafës dhe rrugëve të frymëmarrjes, duke lehtësuar frymëmarrjen dhe përmirësuar simptomat e apnes së gjumit.

8. Si ndikon apneja e gjumit në përqendrimin dhe funksionimin gjatë ditës? A është ndërlidhur kjo me aksidente në punë ose gjatë drejtimit të automjeteve për shkak të mungesës së gjumit cilësor?

Apneja e gjumit shkakton përgjumje të tepruar dhe mungesë të përqendrimit gjatë ditës për shkak të gjumit të ndërprerë natën. Kjo mungesë e gjumit cilësor ndikon negativisht në aftësinë për të funksionuar gjatë ditës, duke rritur rrezikun për aksidente në punë dhe aksidente automobilistike. Pacientët me apne të padiagnostikuar kanë një shkallë më të lartë të aksidenteve gjatë drejtimit të makinës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë