Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Qindra infermierë kërkojnë vërtetim në OIK për largim nga vendi

Numri i infermierëve që po largohen nga Kosova ka rënë dukshëm këtë vit, ndonëse ky numër pritet të rritet nga viti i ardhshëm. Në Odën e Infermierëve të Kosovës, 275 infermierë kanë kërkuar licenca të paplastifikuara, ndërsa 108 kanë kërkuar Kodin Etik që shërben për punësim në vendet perëndimore.

Largim nga vendi po kërkojnë edhe përmes kompanive që merren me rekrutimin e tyre.

Kryetarja e OIK-ut, Nexhmije Gori, thotë se numri i aplikimeve krahasuar me vitet e kaluara është në rënie, veçse është rreziku që ky numër të rritet nga viti i ardhshëm.

“Siç jeni të njoftuar që në Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësor çdo ditë tërhiqen licenca të paplastifikuara dhe vërtetime të Kodit Etik. Nga janari deri në tetor, kemi tërheqje të vërtetimeve të Kodit Etik gjithsej 108, kurse licenca të paplastifikuara i kemi 275”, thotë Gori.

Gori thotë se infermierët kanë zgjedhur edhe një mënyrë tjetër për largim nga vendi. Krahas kompanive, infermierët kontaktin me institucionet shëndetësore atje e kanë të drejtpërdrejt.

“Realisht, numri është rënie duke e konsideruar se tashmë me liberalizimin e vizave, shumica e infermierëve kontaktin me institucionet shëndetësore atje, e kanë të drejtpërdrejt. Tanimë nuk qarkullojnë nëpër agjencione për të rregulluar dokumentacione apo gjëra të tilla që ju nevojiten, kështu që unë pres që vitin 2025, numri ka me qenë dukshëm në rritje sepse infermierët tash janë duke u përgatitur. Ne e dimë që tash ju duhet edhe gjuha edhe kontrata, sigurisht që viti i ardhshëm ka me pas një rritje të dukshme. Sigurisht që po sepse shumica e infermierëve tashmë vetëm në procedura sipas informatave që i posedojmë ne, dhe vitin 2025 ata i përfundojnë këto procedura dhe fillojnë ta zhvillojnë profesionin e tyre atje”, thotë Gori.

Kryetarja e OIK-ut thotë se edhe Ligji i Pagave ka shpërfaqur edhe më tej pakënaqësinë e infermierëve. Andaj, shpreson që kjo të reflektojë nga institucionet përgjegjëse.

“Me Ligjin e Pagave, unë kam qenë shumë optimiste shumë optimiste, mirëpo ligji aktual, infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor nuk i gradoi në vendin e merituar, kështu që unë pres që të ketë përmirësime dhe sigurisht që me ngritjen e pagave është një motiv sepse ata po largohen nga vendi për një pagë e një jetë më të mirë”, u shpreh Gori për EO.

Youtube

Arkiva

Kategoritë