Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Byrek me Presh dhe Kos – Shije e Ngrohtë në Tryezat Shqiptare

Dredhanik, lakrorë, byrekë a petanikë pavarësisht emërtesave të tyre sipas zonave e ndryshimeve të vogla në mënyrën e përgatitjes mbeten sërish ndër më të preferuarët dhe ndër gatimet më të mira të kuzhinës shqiptare.

Tradita e amvisave shqiptare në përgatitjen e byrekëve dhe llojeve të ndryshme të tyre është sa e vjetër aq edhe e shijshme.

Nëse do të veçonim byrekun e mbushur me presh, djathë e kos, recetë të cilën AgroWeb.org e përcjell më poshtë, padyshim për shumë kënd do të zgjojë nepsin e oreksin për ta gatuar apo për ta patur në tryezën e ngrënies bashkë me familjen.

Mbushja fantastike e kombinuar me presh, djathë të bardhë e kos i jep një shije fantastike recetës famoze të nënave e gjysheve shqiptare, atë të dredhanikut.

I lehtë për t’u përgatitur ndonëse kërkon pak durim, e sigurisht shumë dashuri, dredhaniku i shtëpisë është një nga mënyrat më të mira për të kaluar një drekë apo darkë të këndshme me familjen a miqtë.

Përgatitja e Byrekut me Presh

Përbërësit

  • 1kg presh
  • 500 gr miell
  • 1 lugë gjellë miell (për mbushjen e dredhanikut)
  • Një filxhan çaji kos
  • Pak djathë i thërrmuar
  • Vaj ulliri
  • kripë

Përgatitja e Mbushjes

Pasi e lajmë preshin mirë me ujë të bollshëm, e grijmë në rrathë të vegjël dhe e hedhim në tenxhere.

Shtojmë kripë, dy lugë vaj ulliri, dhe një gotë me ujë.

E lëmë zjejë derisa të zbutet e uji të avullojë.

Për ta bërë mbushjen me presh pak kremoze e më të shijshme, në fund, në një tas të vogël hedhim kosin dhe shtojmë aty një lugë gjellë e pak miell gruri.

E trazojmë bashkë me kosin derisa të bëhen një masë e trashë dhe e hedhim në tenxheren ku kemi preshin.

Përzjejmë masën derisa të bëhet e njëtrajtshme dhe shtojmë edhe djathin e thërrmuar.

Kur Petat i Hollojmë Vet

Si fillim përgatisim brumin. Brumin e zëmë me pak kripë dhe ujë të ngrohtë derisa të formohet. Sekreti i përgatitjes së brumit të mirë qëndron tek përpunimi me duar.

Pasi kemi përfunduar brumin e mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë të pushojë përreth 30 minuta.

Më pas, brumin e presim në kuleçë të vegjël. Përdorim pak niseshte për hapjen e tyre. Secilin prej kuleçëve të vegjël e hapim në një formë rrethi 10 cm.

Kuleçët e hapur në formë rrethi i bashkojmë tre e nga tre duke u hedhur disa pika vaji mes tyre.

Secilën nga treshet e bashkuara më pas, e hapim në një petë të madhe. Në secilën prej petave të krijuara hedhim nga dy tre lugë me masën e përgatitur me presh.

Petën e mbledhim në formë roleje dhe e vendosim në formë spirale në tepsinë, të cilën e kemi lyer me pak vaj.

Të njëjtët hapa ndjekim edhe për petat e tjera. Në fund shtrojmë gjithë roletë në tepsi. Më pas lyejmë sipërfaqen e byrekut me pak vaj ulliri dhe e vendosim në furrë me 200 gradë. Pjekja zgjat 30 minuta.

Kur Petat i Kemi të Gatshme

Kur petat i kemi të gatshme procesi është më pak i mundimshëm. Edhe në përgatitjen e roleve me presh në këtë rast ndjekim të njëjtin proces si në rastin e petave të bëra vet.

Për të shmangur tharjen e petave, në një tas të vogël hedhim pak qumësht dhe pak vaj ulliri. Përmes një furçe kuzhine spërkasim të gjitha roletë e mbushura me preshë që kemi vendosur në tepsi.

Këtë proces e kryejmë edhe në fund të pjekjes së dredhanikut, sapo të kemi fikur furrën e sobës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë