Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Kardiologjia Invazive synon rekord të intervenimeve, në funksion dy salla operative

Shërbimi i Kardiologjisë Invazive në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë, ka shënuar numër rekord të intervenimeve, përfshirë procedura të koronarografisë dhe stentimeve.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Daut Gorani, transmeton Klankosova.tv.

Gorani ka thënë se këtë vit synojnë të shënojnë rekord të numrit të diagnostikimit dhe intervenimit, pasi vitin e kaluar kanë përfunduar 4 mijë e 100 procedura diagnostike të koronarografisë dhe 2 mijë e 800 procedura intervente të stentimit.

Ai ka thënë se aktualisht kanë funksionalizuar edhe sallën e kateterizimit në Prizren, e cila punon dy herë në javë.

“Ne kemi bërë një regjistrim të numrit të gjithëmbarshëm të procedurave që i kemi realizuar deri tani. Vitin e kaluar, kemi punuar jashtëzakonisht shumë, kemi shënuar një rekord për herë të parë me numër kaq të madh të procedurave. Kanë qenë 4100 koronarografi dhe diku 2800 intervenime (stentime). Po ashtu edhe sivjet jemi në rrugë të tejkalojmë rekordin e vitit të kaluar, meqenëse është bashkëngjitur edhe salla e kateterizimit në Prizren, të cilët ne po ashtu e mbulojmë me staf, janë edhe dy, tre kolegë vendor që punojnë atje. Punojmë dy herë në javë 24 orë në Prizren, ndërsa në QKUK punojmë çdo ditë. Mesatarja e punës është 15 pacientë në ditë. Sivjet po ashtu kemi një numër shumë të madh për nëntë muaj dhe numri i gjithëmbarshëm i vitit të kaluar dhe sivjet deri në shtator, është 7200 procedura të koronarografisë dhe 4760 procedura të stentimit”, ka thënë Gorani për EO.

Gorani tha se aktualisht funksionojnë me dy salla operative dhe se nganjëherë shfrytëzojnë edhe sallën e cila gjendet në Klinikën e Neurologjisë.

“Në këto sallat tona, po ashtu edhe elektrofiziologjia, elektrostimulimi pra implantimi i pacemakerëve (bateria për zemër). Ne i kemi dy salla, salla një dhe salla dy dhe në rast nevoje ndonjëherë, e shfrytëzojmë edhe sallën e Neurologjisë. Po ashtu, në këto salla kemi filluar edhe me mbylljen e defekteve të sëmundjeve strukturale të zemrës. Këtë muaj, do të vazhdojmë procedurën e mbylljes së defektit Interatrial (vrima në zemër) nën mbikëqyrjen e profesionistëve nga Italia, ndërkohë stafi vendor komplet e bën punën”, u shpreh ai.

Gorani ka thënë se klinika që ai e drejton nuk është imune në largimin e stafit shëndetësor, por jo me një largim masiv të tyre. Ai ka thënë se vetëm dy mjekë janë larguar për në sektorin privat, ndërsa shtatë infermierë kanë migruar jashtë vendit.

“Në anën tjetër, stafi është trajnuar jashtëzakonisht shumë. Ne kemi një numër prej 18 kardiologëve invaziv, disa prej kardiologëve janë vërtetë brilant në punën e tyre. Stafi i mesëm po kemi (largim) dikund shtatë punëtorë nga stafi i mesëm që janë larguar nga ne e kanë shkuar në shtetet tjera, për shkak të pagave më të mira, ndërsa nga mjekët nuk kemi pasur deri tani. Kemi një apo dy mjekë që kanë shkuar në sektorin privat, mirëpo ka edhe kërkesa të mëdha që të na bashkëngjiten stafit invaziv dhe kolegët që vijnë zakonisht me performancë cilësore”, ka deklaruar Gorani.

Youtube

Arkiva

Kategoritë