Në një ceremoni të organizuar në shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, mësuesit Murat Gashi dhe Enver Gashi u nderuan për pensionimin e tyre pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar. Murat Gashi, mësues i lëndës Sociologji, ka filluar të punojë në këtë shkollë që nga viti 1984. Gjatë kohës së luftës, ai vazhdoi mësimdhënien në kushte të vështira, duke ofruar mësim edhe në shtëpi-shkolla, për të siguruar arsimimin e nxënësve në ato kohë të vështira.
Enver Gashi, mësues i lëndës Fizikë, gjithashtu ka shërbyer në këtë shkollë për dekada, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj.
Profesori Izjah Qela ishte ndër organizatorët kryesorë të kësaj ceremonie nderimi për të dy mësuesit. Gjithashtu edhe drejtori i shkollës, Agim Thaçi, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të të dy mësuesve, duke theksuar ndikimin që ata kanë pasur në arsimimin dhe formimin e shumë nxënësve ndër vite.
Një moment emocionues i ceremonisë ishte rikthimi i një prej nxënësve së tyre të dikurshme, Saranda Bujupi-Rama, e cila, pas 20 vitesh, erdhi për të uruar mësimdhënësit e saj. Saranda shprehu mirënjohjen e saj për rolin e madh që Murat dhe Enver Gashi kishin në edukimin e saj, duke theksuar se ata ishin frymëzues për shumë studentë ndër vite.