Krenare Hoti
Rëndësia e dietave të shëndetshme për njeriun është jashtëzakonisht e madhe për mirëqenien fizike dhe mendore. Por, shpeshherë nuk arrijmë të kuptojmë se çka saktësisht përfshin një dietë e shëndetshme dhe se cilat janë përfitimet e saja.
Prandaj, për të mësuar më shumë rreth këtyre dietave, përfitimeve kryesore, ushqimeve që përfshihen, rëndësisë së planifikimit të vakteve dhe përgatitjes së ushqimit e shumëçka tjetër, portali Familja Jonë ka zhvilluar një intervistë me Vala Pupovci, nutricioniste, e cila ka dhënë disa informata tejet të rëndësishme për të gjithë ata që dëshirojnë të dijnë më shumë rreth këtyre dietave.
Intervista e plotë:
- Si përkufizohet një dietë të shëndetshme dhe çfarë përfshin ajo?
Një dietë e shëndetshme përkufizohet si një dietë e cila përmban të gjitha vlerat ushqyese të nevojshme, në sasi të duhur, varësisht prej nevojave, kërkesave dhe qëllimeve personit. Dietat e shëndetshme përfshijnë 5 grupet ushqimore kryesore: frutat dhe perimet, drithërat integrale dhe perimet me amidon, mishin, vezën, peshkun dhe fasulet, produktet e qumështit apo alternativat dhe yndyrërat e shëndetshme.
2. Cilat janë disa nga përfitimet kryesore fizike dhe mendore që individët mund të presin nga një dietë e shëndetshme?
Përfitimet kryesore nga një dietë e shëndetshme janë mbajtja e një peshe të shëndetshme trupore, përmirësimi i tretjes, përmirësimi i niveleve të energjisë, parandalimi i sëmundjeve të ndryshme kronike si sëmundja e sheqerit, sëmundjet e zemrës, kanceri apo sëmundjet neurodegjenerative.
3. Cilat janë disa nga ushqimet që duhet të përfshihen në një dietë të shëndetshme dhe pse?
Ushqimet që duhen përfshirë në një dietë të shëndetshme janë llojllojshmëria e produkteve nga 5 grupet ushqimore, pra fruta dhe perime shumëngjyrëshe, preferueshëm të sezonës, drithëra integrale si tërshëra, orizi integral, buka e zezë, bollguri, si dhe patatet dhe bizelet, mishi i pulës dhe ai i kuq me pak yndyrë, peshku të paktën 2 herë në javë, fasulet, thjerrëzat dhe qiqrat, produktet e qumështit si qumështi, kosi, jogurti, djathi dhe kefiri apo alternativat si qumështi i bademave, tërshërës, orizit dhe yndyrërat e shëndetshme që kryesisht vijnë prej vajit të ullirit, ullinjve, avokados, arrave, bademave, lajthive dhe farave të ndryshme.
4. A ka një lidhje të dukshme midis një diete të shëndetshme dhe rritjes së energjisë në përditshmëri?
Po, ka një lidhshmëri në mes të një diete të balancuar dhe rritjes së energjisë. Kjo sidomos fillon nga fakti se marrja e vlerave ushqyese të rëndësishme si karbohidratet, hekuri, magnezi, vitaminat B kanë rëndësi të veçantë në nivelet e energjisë. Përveç kësaj, shujtat e balansuara të cilat përfshijnë një kombinim të mirë të karbohidrateve me proteina, yndyrëra dhe fibra ndihmojnë në lirim gradual të sheqerit në gjak, çka ndihmon edhe në përmirësimin e niveleve të energjisë.
5. Cila është rëndësia e planifikimit të vakteve dhe përgatitjes së ushqimit në arritjen e një diete të shëndetshme?
Planifikimi i vakteve dhe shujtat e rregullta janë shumë të rëndësishme për një dietë të shëndetshme për shkak se na sigurojnë se shujtat merren në kohë të caktuar, duke parandaluar kështu uljet e ngritjet e mëdhaja të nivelit të sheqerit në gjak, dhe njëkohësisht të niveleve të urisë dhe ngopjes. Planifikimi dhe përgatitja e shujtave e bën të ushqyerit shëndetshëm më të lehtë, për shkak se zgjedhen me kujdes produktet për përgatitjen e ushqimit si dhe ka kontrollë të shtuar në cilësinë, sasinë dhe mënyrën e përgatitjes së ushqimit.
6. Si mund të menaxhojmë craving-et për ushqime të pashëndetshme gjatë përpjekjes për të ndjekur një dietë të shëndetshme?
Për të menaxhuar cravings apo nepset për ushqime të caktuara, fillimisht është me rëndësi të ushqehemi mjaftueshëm dhe me shujta të rregullta, për shkak se shpesh herë, cravings vijnë si pasojë e ushqyerjes së pamjaftueshme. E dyta, që është shumë me rëndësi për cravings, është të mos kufizojmë më shumë sesa duhet ushqimet që neve na pëlqejnë. Në momentin kur ne e privojmë veten nga konsumimi i ushqimeve si ëmbëlsirat, çokollatat, pizza, apo çfarëdo ushqimi tjetër që ka më pak vlera ushqyese, ai ushqim bëhet më i dëshirueshëm për neve. Prandaj, është krejt në rregull nëse ndonjëhëre e lejojmë veten të konsumojmë edhe ushqime të tilla, dhe realisht, kjo na ndihmon që të kemi cravings ndaj këtyre ushqimeve më rrallë.
7. Cilat janë mitet më të zakonshme që lidhen me dietat e shëndetshme dhe si i shfuqizoni ato?
Ka mite të shumta rreth dietave të shëndetshme, mirëpo nga më të shpeshtat janë ato që sugjerojnë se një ushqim i caktuar ndikon drejtpërdrejtë në shtim të peshës, prandaj duhet evituar komplet. Realisht, nuk ka një ushqim të vetëm që drejtpërdrejtë ndikon në shtim të peshës. Shtimi i peshës vjen nga konsumimi i tepërt i kalorive dhe jo nga një ushqim i vetëm. Njejtë, nuk ka ushqime, pije apo diça “magjike” që ndihmon në humbje të peshës, por humbja e peshës vjen nga një deficit kalorik. Duke qenë se përballem me diskutime të tilla pothuajse në baza ditore, mundohem t’i shfuqizoj duke treguar se si qëndron e vërtëta, gjithmonë duke u bazuar në hulumtime shkencore dhe rekomandime zyrtare.
8. Cilat janë disa këshilla praktike për ata që duan të fillojnë të ndjekin një dietë më të shëndetshme?
Disa këshilla praktike është që së pari, të fillohet me ndryshime të vogla, si zëvendësimi i pijeve me sheqer të shtuar me ujë, apo zëvendësimi i drithërave të rafinuara me drithëra integrale, apo përfshirja e të paktën 1 – 2 frutave apo perimeve në shujta. E dyta do të ishte që të planifikohen shujtat paraprakisht, duke parapërgatitur shujta në shtëpi, në mënyrë që të evitohet konsumimi i ushqimeve me më pak vlera ushqyese. Dhe e treta, do të ishte që të mos kufizojmë më shumë sesa që duhet, në mënyrë që të mund të kemi qëndrueshmëri në krijimin e shprehive të shëndetshme.