Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Kujdesi i Syve në Epokën e Teknologjisë – Intervistë me Dr. Anita Syla Lokaj – Specialiste e Oftalmologjisë, PhD

Krenare Hoti

Në epokën e teknologjisë, kujdesi i syve është bërë më i rëndësishëm se kurrë për shkak të ekspozimit të shtuar ndaj ekraneve dixhitale.

Ky përdorim i zgjatur i pajisjeve si kompjuterë, telefona, dhe tabletë mund të çojë në disa probleme të shëndetit të syve.

Duke parë rëndësinë e trajtimit të kësaj teme, Familja Jonë ka intervistuar specialistën e oftalmologjisë, Dr. Anita Syla Lokaj, që të na informojë më shumë se si ndikon qëndrimi para pajisjeve teknologjike në shëndetin e syve tonë, por edhe se si mund të mbrohemi.

Gjithashtu, gjatë intervistës, D. Syla-Lokaj ka treguar më shumë edhe rreth sindromës së shikimit kompjuterik, limiteve kohore të përdorimit të teknologjisë, shenjave që tregojnë se një individ duhet të vizitoj një specialist të syve e shumëcka tjetër të cilat mund t’i gjeni në intervistën poshtë.

Intervista e plotë:

  1. Si ndikon përdorimi i gjatë i pajisjeve digjitale në shëndetin e syve dhe shikimin tonë?

Problemet me shikimin janë shumë më të zakonshme sesa mund ta imagjinoni. Gati 60% e popullsisë në botë ka nevojë për korrigjim të shikimit. Fatmirësisht, 80% e të gjitha problemeve me shikimin mund të shmangen ose korrigjohen. Një nga shkaktarët kryesorë të dëmtimit të shikimit është përdorimi i pajisjeve elektronike (telefon, tablet, televizor dhe kompjuter).

2. Çfarë është sindroma e shikimit kompjuterik dhe cilat janë simptomat e saj më të zakonshme?

Epoka moderne ka zhvilluar një varësi nga kompjuterët, telefonat mobilë dhe video-lojërat. Kompjuterët sigurisht që e bëjnë punën më të lehtë dhe më efikase. Por, fatkeqësisht, në të njëjtën kohë kompjuterët shkaktojnë efekte negative në shëndet, para së gjithash në sy.

Sindroma e Vizionit Kompjuterik është një nënprodukt i kësaj epoke dixhitale, megjithatë mund të menaxhohet në mënyrë efektive me praktika të kujdesshme dhe kujdes të rregullt për sytë.

Syri i njeriut nuk është i përshtatshëm për të parë gjatë në ekranin e kompjuterit. Është e njëjtë kur kaloni shumë kohë para TV dhe pajisjeve të tjera elektronike me një ekran, siç është një telefon celular ose tablet. Sindroma mund të shkaktojë një produktivitet të dobët të punës te të rriturit dhe te fëmijët vështirësi në të nxënë. Shikimi i fëmijëve vështirësohet  gjithashtu gjatë lojërave në kompjuter, tablet dhe telefon.

Simptomat që mund të shfaqen përfshijnë lodhjen, dhimbjet e kokës dhe qafës, dhimbje në shpinë, tendosje e syve, pamje e dyfishtë dhe herë pas here shikimi i mjegulluar.

3. A egziston një limit se për sa kohë mund të përdorim ekranet pa rrezikuar shëndetin e syve?

Është fakt i pamohueshëm që e ardhmja i përket botës dixhitale. Telefona dhe ora inteligjente, tablet, smartfonë laptop, smart tv, janë vetëm disa nga shpikjet më revolucionare që ndryshuan rrënjësisht stilin tonë të jetesës dhe të menduarit për të ardhmen, prandaj edhe limiti i përdorimit duhet të vlen më tepër për fëmijet. Prandaj, limiti kohorë për fëmijet, i vërtetuar shkencëtarisht, është maksimumi 40 minuta në ditë.

4. A ka ndonjë mënyrë të thjeshtë që mund të ndjekim për të shmangur lodhjen e syve gjatë punës së përditshme në kompjuter?

Mbani çdo ekran të paktën 40 cm larg nga fytyra dhe rrisnin pak madhësinë e shkronjave. Përpiquni të ndiqni rregullin 20-20-20 të shikimit të ekranit të kompjuterit, telefonit apo tabletit, i cili nënkupton që çdo 20 minuta para ekranit, shikoni një objekt që është 20 këmbë larg (6 metra) për 20 sekonda.

Në mënyrë ideale, duhet të shikoni poshtë ekranin e kompjuterit në një kënd prej 15 deri në 20 shkallë. Kjo siguron që pjesa më e madhe e syrit tuaj të mbulohet nga qepalla juaj, duke i mbajtur sytë tuaj të hidratuar dhe të shëndetshëm.

Po ashtu, dritat e kompjuterit janë ato që dëmtojnë më shumë shikimin,prandaj përdorimi i syzeve mbrojtëse është i nevojshëm edhe nëse nuk keni probleme me shikimin.

5. Cilat janë shenjat që tregojnë se një individ duhet të vizitojë një specialist të syve për shkak të përdorimit të zgjatur të pajisijeve digjitale?

Nëse gjatë ditës kalohen më shumë se tre orë para ekranit, të gjithë kanë një predispozitë për të zhvilluar sindromën e shikimit kompjuterik. Ekspertët pajtohen se kalimi i kohës para kompjuterit mund të shkaktojë lodhje të syve. Ndërsa, tendosja e syve zakonisht nuk është e dëmshme, ajo mund të shkaktojë simptoma shqetësuese si sytë e thatë, të përlotur, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje koke dhe dhimbje në qafë ose shpatull dhe personat në fjalë mund të kërkojnë ndihmë nga mjeku i syve.

6. Si mund të ndihmojnë produktet e kujdesit të syve, si pikat e syve apo syzet mbrojtëse, në reduktimin e dëmeve që shkaktohen nga përdorimi i gjatë i ekranit?

Syzet e punës me mbrojtje antirefleks të dizajnuara posaqerisht për të reduktuar lodhjen e syve dhe për të minimizuar shkelqimin si dhe pikat e syve si lotët artificial pa konservans që mbajnë lagështinë, mund të jenë të dobishëm në këto çrregullime. Masat parandaluese janë gjithashtu shumë të rëndësishme.

7. Cilat janë këshillat kryesore që rekomandoni për të mbrojtur sytë gjatë përdorimit të zgjatur të ekranit?

Ekzaminimet e rregullta të syve: Për të siguruar shikimin optimal dhe përditësimin e gjendjes së syve.

Krijimi i një mjedisi pune miqësor ndaj syve: Rregullimi i cilësimeve të ekranit, përmirësimi i ndriçimit, rregulli 20-20-20, pushime të rregullta, syzet antireflektive dhe pika lubrifikuese të syve.

Modifikimi i stilit të jetëses: Dietë e ekuilibruar me antioksidantë dhe acide yndyrore omega-3, hidratimi si dhe aktiviteti fizik.

Dr. Anita Syla Lokaj – Specialiste e Oftalmologjisë, PhD

Youtube

Arkiva

Kategoritë