Çdo vit në muajin shtator organizohet në nivel global Dita Botërore e Zemrës. Ky është një event i cili organizohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Federatën Botërore të Zemrës me qëllim informimin e popullatës në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në gjithë botën. Kjo ditë synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Në këtë ditë ne dëshirojmë që çdo njeri të kuptojë se çfarë duhet të bëjë për të fuqizuar zemrën dhe jetën e vet. Zemra juaj është në qendër të shëndetit dhe është e lehtë të kujdesemi për të.
Fuqizo jetën tënde!
Zemra jote fuqizon gjithë trupin,
të lejon të duash, të qeshësh dhe të jetosh jetën plotësisht
Sëmundje kardiovaskulare (SKV) është një term i gjerë dhe përfshin një sërë sëmundjesh që ndikojnë në zemër dhe në enët e gjakut. Një atak në zemër ose goditje në tru mund të jetë paralajmërimi i parë i një sëmundjeje kryesore. Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose në tru prandaj, për lehtësi, këto sëmundje i ndajmë në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut.