Ekspertët thonë se dushi çdo ditë nuk ka përfitime shëndetësore. Megjithatë, edhe pse tashmë ka shumë njerëz që thonë se nuk lahen çdo ditë, si Jake Gyllenhaal dhe Mila Kunis, duket se ta pranosh këtë gjë përkthehet në mungesë higjiene, por pse?
Sipas ambientalistit Donnachadh McCarthy, në një intervistë për BBC, ne bëjmë dush çdo ditë “sepse kemi frikë se dikush do të na thotë se kemi erë të keqe”. Eksperti, autor i ‘Prostitute State’, pranoi se bën dush vetëm një herë në muaj për t’u kujdesur për mjedisin. Një zgjedhje që ai bëri pasi kaloi dy javë në Amazon me popullin indigjen të Yanomamit. Megjithatë, çdo dy ditë, McCarthy bën një pastrim të përgjithshëm me një leckë dhe ujë për zonat që kërkojnë higjienë shtesë.
Por duhet të bëni dush çdo ditë?
Edhe pse ky trend mund të duket i çuditshëm, realiteti është se shumë ekspertë kanë vënë në dukje se ky fiksim modern me higjienën mund të jetë edhe i rrezikshëm për shëndetin. Në fakt, dermatologia Julie Russak tha se dushi i përditshëm mund të eliminojë “mikrobiomën e lëkurës”, e cila mbron lëkurën dhe është “jashtëzakonisht e rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm të trupit.
Realiteti është se ne bëjmë dush shumë më tepër se në të kaluarën, pjesërisht për shkak të ardhjes së dushit në shtëpitë tona, një mjet që lehtëson larjen. Mirëpo, ne nuk hyjmë çdo ditë në dush për shkak të higjienës, por sepse është e pranuar nga shoqëria dhe është “gjëja normale” për t’u bërë.
Pra… sa shpesh duhet të bëjmë dush?
Siç thekson dermatologia Joyce Park, “nuk ka asnjë zgjidhje të vetme për larjen e trupit dhe flokëve, frekuenca ideale varet nga lloji i lëkurës dhe flokëve, sa shumë djersitni dhe sa jeni të pisët”. Me fjalë të tjera, duke vrarë pak mendjen ne mund të dimë se sa shpesh duhet të bëjmë dush pa rrezikuar mikrobiomën e lëkurës.