Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
25 shtator – Shënohet dita botërore e farmacistëve

Drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi në shënimin e Ditës Botërore të Farmacistit, ka thënë se po punon dhe po avokon nga pozita e tij për të fuqizuar rolin e farmacistëve.

Oda e Farmacistëve të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Farmacistëve kanë shënuar sot Ditën Botërore të Farmacistit në një tryezë ku është diskutuar për rolin e profesionistëve në Kosovë.

Kryetari i OFK-së Kadri Bytyqi ka uruar të gjithë farmacistët duke thënë se duhet të punohet bashkërisht për fuqizimin e rolit të tyre.

“Ne si odë jemi të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të farmacistit dhe avancimit të tyre, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Farmacia është emëruesi ynë i përbashkët”, ka deklaruar Bytyqi.

Në këtë tryezë ka marr pjesë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Elvir Azizi, i cili me profesion është farmacist.

Ai ka thënë se farmacia është multidisiplinare ku përveç tjerash përfshihet edhe prodhimi, e që sipas tij fatkeqësisht shumica e farmacistëve merren vetëm me barnatore.

“Unë parimisht kur kam qenë mësimdhënës më shumë se 15 vjet të jetës jam marr më shumë me prodhim dhe do të rikthehem prap sepse aty e gjej vetën”, ka thënë Azizi.

Ai ka thënë se nga ky pozicion që e mban është duke avokuar në fuqizimin e rolit të farmacistit.

“Në pozitën e drejtorit tani po merrem me avokimin për rolin e farmacistit. Kemi diskutuar edhe ma herët se roli i farmacistit në institucionet shëndetësore publike dhe private duhet të fuqizohet. Kemi krijuar një rregullore dhe statut në SHSKUK, për momentin ajo rregullore është pezulluar, por sidoqoftë në ndryshime është paraparë themelimi i farmacisë klinike”, ka deklaruar Azizi.

“Një hap pozitiv është kontraktimi i laboratorit të toksikologjisë dhe do të funksionalizohet deri në fund të vitit. I kemi shtatë toksikolog”, ka shtuar ai.

Në këtë tryezë ka marr pjesë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, i cili me profesion është farmacist. Ai ka uruar kolegët e tij për Ditën Botërore duke thënë se angazhimi i secilit prej tyre duhet të shkoj drejt lartësimit të profesionit i cili është fisnik dhe i vlefshëm për qytetarët dhe për sistemet shëndetësore.

Florina Berisha kryetare e Shoqatës së Farmacistëve ka thënë se fal farmacistëve sot kemi shërbime kualitative shëndetësore dhe terapi të reja për shumë sëmundje.

Ajo ka bërë të ditur se në Kosovë janë rreth 1600 farmacistë, nga të cilët 1490 punojnë në sektorin privat ku shpenzohen rreth 80 milionë Euro në vit, ndërsa në publik punojnë rreth 130 farmacistë ku shpenzohen rreth 60 milionë Euro në vit për barna. Ndërkaq në tërë Kosovën janë rreth 850 barnatore.

“Roli i farmacistit është promovimi i përdorimit racional të sigurt dhe efikas të barnave”, ka deklaruar Berisha.

Në këtë tryezë ka marr pjesë edhe drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Amir Kika, drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik në SHSKUK Dardane Mehaj, profesori Zijadin Gashi, dhe përfaqësues të tjerë. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë