Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog njofton të gjithë qytetarët se, në kuadër të përgatitjeve për rinovimin e objektit kryesor, së shpejti do të nisë procesi i rrënimit të ndërtesës ekzistuese. Për këtë arsye, shërbimet shëndetësore dhe stafi do të zhvendosen përkohësisht në lokacione të tjera.
Qytetarët do të njoftohen me kohë për lokacionet e reja ku do të ofrohen shërbimet. Ndërkohë, të gjithë banorët e fshatrave përreth këshillohen që, sa të jetë e mundur, të përdorin shërbimet e Qendrave të Mjekësisë Familjare në afërsi të tyre, përkatësisht në: Vrellë, Banjë, Gurrakoc dhe Rakosh. Kjo masë merret për të shmangur mbingarkesën në QKMF Istog.
Gjithashtu, njoftohet se të gjitha shërbimet shëndetësore të QKMF-së në Istog do të vazhdojnë të funksionojnë si zakonisht, me përjashtim të shërbimit të gjinekologjisë, i cili përkohësisht do të ofrohet në QMF Gurrakoc.
QKMF-Istog fton qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe tranzitore.