Skleroza Multiple (MS) është një sëmundje e sistemit nervor qendror (trurit dhe palcës kurrizore) e cila mund të shkaktojë paaftësi/invaliditet.
Në MS, sistemi imunitar sulmon mbështjellësin mbrojtës të fijeve nervore (mielinën) gjë që shkakton probleme komunikimi në mes trurit dhe pjesës tjetër të trupit. Përfundimisht, sëmundja mund të shkaktojë çrregullim të funksionit apo edhe dëmtim të përhershëm në sistemin nervor.
Shenjat dhe simptomat e MS-së ndryshojnë nga pacienti në pacient dhe varen nga vendi dhe ashpërsia e dëmtimit të fijeve nervore në sistemin nervor qendror.
Disa njerëz me formë më agresive të MS-së mund të humbasin aftësinë për të ecur në mënyrë të pavarur ose mund të mos jenë në gjendje për të ecur fare. Individë të tjerë mund të përjetojnë periudha të gjata remisioni pa simptoma të reja, varësisht nga lloji i MS-së që kanë.
Aktualisht skleroza multiple është sëmundje e pashërueshme, megjithatë ka terapi që me sukses trajton relapset (sulmet), terapi modifikuese të sëmundjes dhe terapi për menaxhimin e simptomave.
Shenjat dhe simptomat e sklerozës multiple mund të ndryshojnë shumë nga personi në person dhe gjatë rrjedhës së sëmundjes mund të manifestohen simptoma të llojllojshme. Simptomat e zakonshme përfshijnë:
- Mpirja ose dobësimi në një ose më shumë gjymtyrë që zakonisht ndodh në njërën anë të trupit në të njëjtën kohë
- Ndjesia e shpimit të gjilpërave
- Ndjesitë e goditjes elektrike që ndodhin me lëvizje të caktuara të qafës, veçanërisht përkuljen e qafës përpara (shenja Lhermitte)
- Mungesa e koordinimit
- Ecja e paqëndrueshme ose paaftësi për të ecur
- Humbja e pjesshme ose e plotë e shikimit, zakonisht në një sy në një kohë, shpesh me dhimbje gjatë lëvizjes së syrit
- Shikimi i dyfishtë i zgjatur
- Turbullimi i shikimit
- Marramendja
- Probleme me funksionin seksual, funksion të zorrëve dhe të fshikëzës urinare
- Plogështia
- Të folurit i paqartë
- Problemet njohëse
- Çrregullimet e humorit