Albina Selmanaj
Limfoma është një kancer i sistemit limfatik, i cili është pjesë e sistemit imunitar të trupit. Sistemi limfatik përfshin nyjet limfatike (gjëndrat limfatike), shpretkën, gjëndrën e timusit dhe palcën e kockave.
Për të ofruar më shumë informacion rreth limfomave, Familja Jonë ka zhvilluar një intervistë me hematologun e njohur, Dr. Fitim Gashi.
Gjatë kësaj interviste, Gashi qartëson më shumë detaje për limfomat, duke përfshirë dallimet midis limfomës Hodgkin dhe jo-Hodgkin, si dhe mënyrat më të mira për diagnostikim dhe trajtim. Dr. Gashi, përmes përvojës së tij të gjerë, na ndihmon të kuptojmë rolin e testeve laboratorike, simptomave, dhe faktorëve të rrezikut që ndikojnë në zhvillimin e këtyre sëmundjeve.
Për më tepër, Gashi ofron këshilla të vlefshme për pacientët dhe familjarët në lidhje me menaxhimin e kësaj gjendjeje, duke theksuar rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm dhe zbatimit të udhëzimeve mjekësore për një rikuperim të suksesshëm.
INTERVISTA E PLOTË:
1. Cilat janë dallimet kryesore midis limfomës Hodgkin dhe jo-Hodgkin?
Dallimi ndërmjet limfomës Hodgkin dhe jo-Hodgkin qëndron në faktin se te limfoma Hodgkin janë të pranishme qelizat Reed-Sternberg, ndërsa te limfoma jo-Hodgkin këto qeliza nuk ekzistojnë. Mosha e paraqitjes së limfomës Hodgkin është më e re, me një mesatare rreth 39 vjeç, ndërsa limfoma jo-Hodgkin paraqitet kryesisht te moshat e vjetra, me një mesatare rreth 55-60 vjeç.
Limfoma Hodgkin ka më shumë mundësi të diagnostikohet në fazat e hershme, pasi zakonisht shfaqet fillimisht në qafë dhe gjoks. Ndërkohë, limfoma jo-Hodgkin mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë qafën, nën sqetull, gjoksin, barkun dhe, në disa raste, edhe në organet e brendshme.
2. Cilat teste laboratorike janë të rëndësishme për të diagnostikuar dhe monitoruar limfomën?
Testet laboratorike të nevojshme për diagnostikimin përfshijnë:
- Hemogramë
- Biokimi e plotë
- Beta-2 mikroglobulina
- LDH
- Ultratinguj i qafës, aksilave dhe abdomenit
- CT me kontrast të organeve të brendshme
- PET CT (një metodë më e re dhe më specifike)
3. Cilat janë simptomat dhe shkaktarët e shfaqjes së limfomes?
Në shumicën e rasteve, limfomat nuk kanë një shkaktar të qartë. Megjithatë, në rastin e limfomës MALT, shkaktar mund të jetë bakteria Helicobacter pylori. Nëse bakteria shërohet, shumica e pacientëve nuk shfaqin më simptoma të limfomës.
4. Cilat faktorë të riskut lidhur me gjakun apo qelizat imune mund të kontribuojnë në shfaqjen e limfomës?
Ekziston edhe një lloj limfome që lidhet me implantet e gjinjve të silikonit. Faktorët që ndikojnë përfshijnë edhe sëmundjet autoimune, historia familjare (në raste të rralla), ndryshimet gjenetike dhe infeksionet si CMV, EBV, virusi herpes dhe HTLV-1. Gjithashtu, rënia e imunitetit luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre sëmundjeve.
5. A ka ndonjë lidhje midis anemisë apo çrregullimeve të tjera të gjakut me përparimin e limfomës?
Me përparimin e sëmundjes dhe veçanërisht me infiltrimin e palcës kockore, pacientët mund të zhvillojnë anemi, rënie të numrit të leukociteve dhe trombocitopeni (numër i ulët i trombociteve).
6. Cili është roli i transfuzioneve të gjakut gjatë trajtimit të limfomës?
Roli i transfuzioneve të gjakut është shumë i rëndësishëm kur pacienti për shkak të sëmundjes bie në anemi. Sa herë që klinicisti e sheh të nevojshme, mund të jepet gjak deri në përmirësimin e gjendjes. Pasi sëmundja fillon të trajtohet dhe të përmirësohet, anemia zakonisht rregullohet vetvetiu.
7. Cilat janë hapat më të rëndësishëm që një pacient me limfomë duhet të ndërmarrë për të menaxhuar sëmundjen dhe për të përmirësuar shanset e rikuperimit, nga këndvështrimi hematologjik
Nga këndvështrimi hematologjik, një nga parametrat më të rëndësishëm për të ndjekur përparimin e sëmundjes është zbatimi i rregullave dhe këshillave të dhëna nga personeli mjekësor. Këto përfshijnë:
- Kujdesin ndaj ekspozimit në diell,
- Ushqimin e shëndetshëm,
- Pirjen e mjaftueshme të lëngjeve,
- Evitimin e ushqimeve të skarës dhe të konservuara.
Këto masa janë thelbësore për përmirësimin e gjendjes dhe mirëqenien e përgjithshme të pacientit.