SHSKUK e ka shpallur sot vendimin për të shpërblyer kompaninë “Medica” në tenderin për akseleratorin e tretë për Klinikën e Onkologjisë.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës e ka shpërblyer kompaninë “Medica” duke ia dhënë tenderin afër 2.7 milionësh për akseleratorin e tretë në Klinikën e Onkologjisë.
Ky është akseleratori i tretë që SHSKUK e blen nga kjo kompani. Në vitin 2021 akseleratori i parë kishte kushtuar rreth 1.5 milionë, ndërsa në vitin 2023 rreth 1.4 milionë Euro.
Të dy këto pajisje janë përuruar nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia. Madje vitin e kaluar në përurim ka marr pjesë edhe vet kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit kishte publikuar edhe një video në Facebook, ku promovohej edhe kompania “Medica.
Kompania “Medica” është një nga operatorët ekonomik që përfiton më së shumti tenderë nga SHSKUK dhe QKUK për pajisje dhe materiale mjekësore.