Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Mjekët bëhen “NJË” me sëmundjen, në Kosovë dominojnë kanceri i gjirit dhe mushkërive

Plot 12 vjet në përballje me trajtimin e njërës prej sëmundjeve më të rënda në botë.

Ndonëse vështirë, specialisti i Onkologjisë në QKUK, Ardian Millaku, thotë se me përkushtim e qasje të mirë ndaj pacientëve, gjithçka bëhet më e lehtë.

Në një intervistë për Klankosova.tv, ai ka shpjeguar simptomat e hershme të kancerit dhe trajtimin e tyre.

“Në gusht të vitit 2012 janë punësuar si specialist i Onkologjisë në QKUK. Pasiqë e kam mbaruar specializimin në Itali me mbështetjen edhe të qeverisë italiane dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Tani po i bëj 12 vjet i punësuar si onkolog në QKUK. Si shenja dhe simptoma të hershme të sëmundjeve malinje janë disa dhe varet cilin sistem e atakon. Duke filluar nga lodhja, pagjakësia, humbje peshe, probleme me frymëmarrje, koll të vazhdueshëm, gjakderdhje nga goja, fyti, zorra e trashë, gjakderdhje gjatë urinimit, dhimbje, ndryshime në lëkurë dhe gjinj etj. Nëse këto simptoma nuk trajtohen, duhet të bëhen ekzaminime shtesë dhe varësisht nga gjendja dhe analizat, të drejtohen të specialisti përkatës. Duhet të jemi më të kujdesesshëm ndaj vetes dhe shëndetit tonë dhe të bëjmë kontrolla dhe ekzaminime të caktuara dhe periodike me qëllim të zbulimit të hershëm të sëmundjeve malinje dhe trajtimin adekuat të tyre. Duhet të kemi kujdes në ushqim çka konsumojmë, mos të përdorim gjëra si duhan, alkool dhe ushqime që dëmtojnë shëndetin tonë. Të bëjmë aktivitet fizik dhe ta eliminojmë stresin”, thotë Millaku për Klankosova.tv.

Më tej, ai tregon se gjatë një dite në Onkologji trajtohet një numër i madh i pacientëve, dhe sipas tij, me rinovimin e Klinikës që u bë së fundmi, ofrohen shërbimë shumë të mira.

No photo description available.

“Gjatë ditës, Klinikën tonë e frekuenton një numër i madh i pacientëve, rreth 250-300 raste ku marrin disa lloje të shërbimeve. Së paku 30 deri 50 raste në ditë i kryejnë konsultat, marrin raporte për terapi brenda ditës te mjeku. Për momentin, Klinika jonë është e rinovuar dhe ofron shërbime shumë të mira, duke filluar nga sporteli dhe deri tek të gjitha njesitet tjera në Klinikë, ku ofrohen disa lloje të shërbimeve si: kimioterapia, imunoterapia, targetterapia, terapiahormonale, terapiaintravezikale, fizioterapia, konsultat psikologjike, laboradtori, radioterapia dhe brakiterapia, shërbimi i Fizikës etj. Sallat ku merret terapia, transfuzioni, farmacia dhe reparti. Aparaturat janë të reja dhe të nivelit të lartë për trajtimin e sëmundjeve malinje, besoj më të mirat në rajon, si dhe vitet e fundit kemi një furnizim shumë më të mirë me ilaçe të të gjitha llojeve”, ka thënë onkologu.

Ajo që Millaku e konsideron të vështirë është komunikimi i diagnozës. Ai thotë se që pacienti ta pranojë më lehtë lajmin se është prekur nga kanceri, duhet të gjendet mënyra e duhur.

“Gjatë ditës ne ballafaqohemi me disa lloje të sëmundjeve malinje dhe pacientë të moshave të ndryshme, është një punë që do shumë përkushtim, kujdes dhe qasje shumë të mirë. Duhet të arrijmë bashkëpunim me pacientin me qëllim që të kemi sukses së bashku dhe trajtimin sa më të lehtë të efekteve anësore nga terapia. Ka momente shumë të vështira sidomos komunikimi i diagnozës apo efekteve anësore por duhet të gjejmë mënyrën që pacienti ta pranojë sa më lehtë këtë situatë dhe të kemi sukses”, shprehet Millaku për Klankosova.tv.

Pavarësisht kësaj, Millaku thotë se në punë shkon me shumë vullnet pasi në Onkologji, e presin shumë raste që kanë nevojë për të. Ai madje thotë se në raport me pacientin, janë NJË.

“Çdo ditë shkoj në punë me vullnet të madh sepse e di që aty më presin shumë raste që kanë nevojë për ndihmën time, këshillat e mia dhe lehtësona shumë, ndihem mirë që sadopak arrij t’ia lehtësoj dhimbjen, vuajtjen e tyre, ne jemi NJË së bashku me pacientin kundër sëmundjes”.

Mjeku që trajton sëmundjet malinje në QKUK ka rrëfyer për Klankosova.tv edhe dy raste tepër të vështira. Ai përmendi një burrë, ish-ushtar i UÇK-së i diagnostikuar me kancer e që fatkeqësisht nuk jeton më, dhe një student të Mjekësisë i cili ishte në moshë të re kur kuptoi ngase vuan.

“Ka raste dhe momente kur ndihesh keq dhe i pafuqishëm, por asnjëherë nuk bën me i humb shpresat për suksese. Ka pasur raste të shumta që jam ndje keq, por po i theksoj dy: të një studenti të Mjekësisë që ishte diagnostikua me kancer, ishte në moshë të re dhe duhej të fillonte terapinë. Duke ia sqaruar efektet anësore, një ndër të tjera ishte edhe rënia e flokëve. Kur ia sqarova ai filloi të qante dhe nuk mund ta pranonte këtë gjë. Për ta bindur që kjo gjë është kaluese dhe nuk është diçka problem sepse flokët dalin prapë, i thashë që “nëse je dakord edhe unë po i heqi flokët sikur ti, po solidarizohna me ty”, por ai nuk pranoi dhe vendosi ta marrë terapinë. Tash ai është në një gjendje shumë të mirë klinike. Rasti tjetër është një ish-ushtar i UÇK-së i cili ishte i shtruar në repart dhe gjendja e tij çdo ditë përkeqësohej. Njëri nga fëmijët e tij (7-vjeçare) bisedonte me babanë (pacientin) që edhe pak ditë do ta festonte ditëlindjen dhe i tha “duhesh me ardhë në shtëpi me festu ditëlindjen time”. Por pacienti përkundër përpjekjeve tona nuk arriti ta luftonte sëmundjen. Unë vendosa të shkoj në shtëpinë e pacientit në mënyrë që t’ia uroi ditëlindjen vajzës që e priste me padurim babanë e saj”, tregoi dr.Millaku, njofton Klankosova.tv.

Në fund, Millaku apeloi për kujdes në mënyrën e jetesës dhe ushqimit që konsumojmë, poashtu tha se çdo zbulim i hershëm, ka trajtim më të mirë – dhe mbijetesë. Ai pati edhe një falënderim për Klinikën ku punon për të cilën thotë se bën punë të madhe dhe humane.

“Duhet të kemi shumë kujdes për shëndetin tonë, mënyrën e jetesës, ushqimin që e konsumojmë. Në rast se vërejmë shenja, simptoma që nuk mjekohen për një kohë duhet të bëjmë ekzaminime shtesë dhe të drejtohemi te specialisti përkatës. Çdo zbulim i hershëm ka trajtim më të mirë, prognozë më të mirë si dhe mbijetesë. Dua t’i falënderoj shumë të gjithë stafin e Klinikës tonë për punën e madhe dhe humane që bëjnë çdo sekond, pa ta asgjë nuk do të ishte e mundur të bëhej”, përfundoi Millaku.

1 mijë e 430 raste të reja me kancer janë regjistruar në Kosovë deri në muajin shtator. Kështu ka treguar për Klankosova.tv, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

No photo description available.

Ai thotë se dominon kanceri i gjirit te femrat me 325 raste të reja dhe 180 me kancer të mushkërive, shumica te meshkujt.

“Çdo ditë në Klinikë trajtohen nga 250-300 paicentë në shërbimin e kemioterapisë dhe 120-140 pacientë në Shërbimin e Radioterapisë, ndërsa në Shërbimin e Brahiterapisë 3-4 femra i nënshtrohen trajtimit me rrezatim të brendshëm kontaktues. Në reparte të Klinikës çdo ditë janë të hospitalizuara 11-12 pacientë. Deri në këtë muaj janë regjistruar 1 mijë e 430 raste të reja me kancer, me donimin të kancerit të gjirit te femrat me 325 raste të reja dhe 180 raste me kancer të mushkërive shumica te meshkujt”, thotë Kurtishi.

Në krahasim me vitin e kaluar, në Kosovë ka ngritje të diagnostimit me këtë sëmundje për gati 7-10 për qind. Kurtishi, thekson se rritja është vërejtur edhe më shumë në tre muajt  e fundit.

Sa i përket ilaçeve, drejtori i Onkologjisë thotë se ky spital ka furnizim të majftueshëm me barna dhe se sipas tij, kushtet në klinikë janë përmirësuar.

“Deri më sot kemi një furnizimin stabil me mbi 90 për qind të barërave të LBE. Kushtet janë përmirësuar dukshëm dhe këto javë kemi aktivizuar edhe sallën e dytë të kemioterapisë me ç’rast kemi 70-80 karrige onkologjike në disponim për trajtim të të sëmurëve me kancer, ndërsa në javët në vazhdim do të kemi edhe më shumë karrige onkologjike që do të lehtësojë edhe më shumë ofrimin e shërbimeve onkologjike në Klinikë. Sa i përket aparaturave radioterapeutike, Klinika e Onkologjisë është e pajisur me dy akceleratorë të gjeneratës së fundit me trajtimin e sëmundjeve malinje me metodat e reja të rrezatimit si IMRT, VMAT, sistemit laserik C-RAD dhe së shpejti edhe me teknikat stereotactic të rrezatimit specifik të lezioneve të vogla në tru dhe organet të tjera. Ndërsa shërbimi i Brahiterapisë kryen punë të suksesshme në trajtimin e sëmundjeve maline të organeve gjenitale të femrave, ku çdo vit mbi 150-180 femra trajtohen në këtë shërbim. Ndërsa shërbimi i Fizioterapisë dhe Psikologjisë në kuadër të Klinikës çdo ditë pune japin këshilla dhe trajtime për pacientët onkologjikë”, u shpreh Kurtishi, njofton Klankosova.tv.

Në fund, Kurtishi theksoi se mbetet sfidë migrimi i infermierëve.

“Mbetet sfidë edhe tash numri i paktë i infermierëve në Klinikë, e sidomos edhe migrimi i disa infermierëve për vendet evropiane”, shtoi ai.

Rreth dhjetë milionë njerëz vdesin nga kanceri çdo vit, duke e bërë atë shkakun e rreth një në gjashtë vdekje dhe një nga problemet më të mëdha shëndetësore në mbarë globin.

Youtube

Arkiva

Kategoritë