Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Rezonanca Magnetike e gjithë trupit – Teknologji e përparuar për diagnostikim modern

RM e tërë trupit është një ekzaminim radiologjik joinvaziv dhe pa rrezik nga rrezatimi i dëmshëm, plotësisht i sigurt që ofron një pamje shumë të detajizuara të strukturave të të gjithë trupit

Bsc. Mustafë Buzoku
Teknik i Radiologjisë

Kjo metodë është kulmi absolut i diagnostikimit, një zgjedhje e shkëlqyer kur kërkohen sëmundjet për të zbuluar patologjitë në trup.

Imazhimi me Rezonancë magnetike të tërë trupit, ndihmon për të zbuluar ndryshime patologjike në trup, lokalizimin e tyre, marrëdhëniet me strukturat përreth, enët e gjakut dhe përbërjen e tyre.

RM e tërë trupit ofron një pasqyrë të gjendjes së trurit, palcës kurrizore, mëlçisë, shpretkës, pankreasit, veshkave, gjëndrave mbiveshkore, fshikëzës së tëmthit, fshikëzës urinare, mitrës, prostatës, etj.

Kur këshillohet kryerja e imazhimit të gjithë trupit me Rezonancë magnetike?

Procedura përdoret për të gjitha pjesët e trupit dhe është efektive në vlerësimin klinik të gjendjeve të mëposhtme:

Kancer metastatik: Për të kontrolluar përhapjen e kancerit në pjesë të tjera të trupit.
Sëmundje inflamatore: Siç janë sëmundjet autoimune që mund të ndikojnë në shumë organe dhe inde.
Vlerësim për dëmtime të shumta: Pas aksidenteve të mëdha që mund të shkaktojnë dëmtime të shumëfishta.
Sëmundje të sistemit nervor qendror: Për të vlerësuar përhapjen e sëmundjeve.
Përcaktim i stadit të sëmundjes: Për të ndihmuar në përcaktimin e përhapjes dhe progresionit të sëmundjeve të caktuara kronike ose malinje.
Monitorim i trajtimit: Për të ndjekur efektivitetin e trajtimeve të ndryshme mjekësore.

Çfarë duhet të dijë pacienti para se të bëjë imazhimin e tër trupit me rezonancë magnetike dhe si duhet të përgatitet?

Para se të bëjë një imazhim të tërë trupit me rezonancë magnetike (RM), pacienti duhet të dijë të përgatitet për disa aspekte të rëndësishme:

Procesi i ekzaminimit: RM përdor fusha të forta magnetike dhe valë radio për të krijuar imazhe të detajuara të brendshme të trupit. Nuk përdor rrezatim siç bëhet me rëntgen apo TK (Tomografi e kompjuterizuar).

Kohëzgjatja: Procedura e RM të tërë trupit zakonisht zgjat nga 30 minuta deri në 3 orë, varësisht prej problemeve që ka pacienti.

Ndjesia gjatë ekzaminimit: Pacienti duhet të jetë i përgatitur që të qëndrojë pa lëvizur gjatë ekzaminimit. Pajisjet RM janë të ngushta dhe të zhurmshme, por përdoren kufje ose tapa për mbylljen e veshëve të cilat ndihmojnë në reduktimin e zhurmave.

Përgatitja për Rezonancë magnetike

Rrobat dhe aksesorët: Pacienti duhet të veshë rroba të lirshme dhe të rehatshme pa metale – hekur në to. Çdo objekt metalik duhet të largohet nga trupi (si bizhuteri, ora, syze, rripa me tokëza metalike, kartelat bankare, telefonat) duhet të hiqet para ekzaminimit.

Njoftimi i Teknikut të radiologjisë:Pacienti duhet të informojë teknikun e radiologjisë për çdo metal në trup (si implante mjekësore, pacemaker, proteza, thërrmija nga granata pasi që jemi vend i dalur nga lufta), si dhe për çdo alergji e klaustrofobi (nuk mund të qëndrojë në ambient të mbyllur).

Ushqimi dhe pijet: Në disa raste, nga pacienti mund të kërkohet të jetë esëll për disa orë para ekzaminimit, sidomos nëse do të përdoret kontrasti.

Kontrasti: Disa ekzaminime me RM përdorin një agjent kontrast për të pasuruar imazhet. Pacienti duhet të dijë nëse do të përdoret kontrast dhe nëse ka pasur reagime alergjike ndaj tij në të kaluarën në kontrollimet paraparake me RM.

Çfarë ekzaminojmë me RM të gjithë trupit?

RM-ja e gjithë trupit përdoret për të ekzaminuar tërë trupin dhe për të zbuluar gjendje të ndryshme mjekësore që mund të mos jenë të dukshme përmes metodave të tjera të imazherisë. Njëra prej arsyeve kryesore që një mjek specialist mund të kërkojë një RM të gjithë trupit është hulumtimi për metastaza.

Imazhimi për metastaza: Për pacientët me histori të kancerit, RM-ja e gjithë trupit mund të ndihmojë në zbulimin e metastazave, përhapjes së kancerit në pjesë të tjera të trupit dhe ndihmojë në vlerësimin e të arriturave të terapisë së aplikuar.

Për cilët pacientë nuk është i përshtatshëm imazhimi gjithë përfshirës me rezonancë magnetike?

Imazhimi gjithëpërfshirës me rezonancë magnetike (RM) nuk është i përshtatshëm për pacientët në situatat e mëposhtme:

Pacientët me pajisje metalike ose elektronike të implantuara: Këto përfshijnë pacemakerët, defibrilatorët, implantet kohleare dhe disa lloje klipesh aneurizme cerebrale.
Pacientët me fragmente metalike nga mjetet eksploduese: Një histori e fragmenteve metalike në trup, veçanërisht në afërsi të syve ose organeve vitale, janë kundërindikacion për RM.
Pacientët klaustrofobikë: Njerëzit që kanë frikë nga hapësirat e mbyllura mund të kenë vështirësi të qëndrojnë të qetë gjatë procedurës.
Pacientët me tatuazhe të caktuara: Disa pigmente të tatuazheve mund të përmbajnë metale që mund të reagojnë gjatë RM dhe japin artefakte por nuk është kontraindikacion absolut.
Gratë shtatzëna: RM nuk përdor rrezatim jonizues dhe nuk është i dëmshëm por assesi nuk duhet përdorur mjeti i kontrastit.
Pacientët që nuk mund të qëndrojnë të qetë: Fëmijët e vegjël dhe pacientët me disa çrregullime mendore ose neurologjike që nuk mund të qëndrojnë të palëvizshëm për periudha të gjata mund të kenë nevojë për sedacion – të bëhet sedatimi i tyre.

A paraqet RM e tërë trupit rreziqe apo efekte të padëshiruara?

RM-ja e tërë trupit në përgjithësi konsiderohet e sigurt dhe nuk paraqet rrezik. Megjithatë, mund të ndodhin disa efekte të padëshiruara dhe rreziqe të vogla, përfshirë:

Reaksionet alergjike ndaj kontrastit:Nëse përdoret një agjent kontrasti, disa individë mund të përjetojnë reaksione alergjike, mirëpo këto janë raste shumë të rralla.
Ndjeshmëria ndaj zhurmës: Makina RM bën zhurmë të lartë, që mund të jetë shqetësuese, por përdorimi i kufjeve ose tapa për veshët ndihmon për të zbutur këtë efekt.
Ndjesia e klaustrofobisë: Disa individë mund të ndjehen të shqetësuar ose klaustrofobikë brenda hapësirës së ngushtë të RM-së.
Ndikimi në pajisjet metalike: RM-ja përdor fusha magnetike të forta, kështu që individët me implante metalike (si pacemaker-a ose klip-a anevrizme) duhet të konsultohen me mjekun përpara ekzaminimit.
Efektet nga fushat elektromagnetike:Ndërsa nuk ka dëshmi të qarta që fushat elektromagnetike të RM-së shkaktojnë dëme afatgjata, disa studime sugjerojnë nevojën për më shumë hulumtime në këtë fushë.

Gjatë imazhimit me RM, ka shumë njerëz që kanë frikë nga hapësirat e mbyllura, si e kapërceni këtë problem

Gjatë imazhimit me RM, frika nga hapësirat e mbyllura (klaustrofobia) është një shqetësim i zakonshëm. Ja disa mënyra për ta kapërcyer këtë problem:

Informacioni dhe përgatitja: Pacienti mund të ndihet më i qetë nëse e di saktësisht çfarë do të ndodhë gjatë procedurës. Një përshkrim i hollësishëm dhe shpjegimi i hapave të procedurës mund të ndihmojë në uljen e ankthit.

Sedativë të lehtë: Në disa raste, mund të përdoren sedativë të lehtë për të ndihmuar pacientin të relaksohet ( sedativët zakonisht ipen nga mjeku anesteziolog ose ne mbikëqyrje të mjekut specialist).

Teknika të frymëmarrjes dhe relaksimit:Mësimi i teknikave të frymëmarrjes dhe relaksimit mund të jetë shumë efektiv për të menaxhuar frikën dhe ankthin.

Ndihma e një familjari: Lejimi i një personi të afërt të jetë pranë pacientit gjatë procedurës mund të ofrojë kurajo dhe mbështetje emocionale.

Muzika ose komunikimi: Dëgjimi i muzikës ose komunikimi me teknikun gjatë procedurës mund të ndihmojë në shmangien e mendimeve ankthioze.

Cila është kënaqësia më e madhe që ndieni duke bërë këtë punë të veçantë?

Kënaqësia më e madhe që ndiej gjatë realizimit të një rezonance magnetike është ndihma që i japim pacientëve në diagnostikimin dhe trajtimin e saktë të problemeve të tyre shëndetësore.

Të shohësh se si puna jote kontribuon në përmirësimin e jetës së njerëzve është një ndjenjë shumë e kënaqshme dhe motivuese. Gjithashtu, teknologjia dhe preciziteti që ofron rezonanca magnetike më mahnit gjithmonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë