Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Trajtimi dhe diagnostikimi i sëmundjeve kardiovaskulare – Intervistë me Dr. Sci. Artan Ahmeti

Krenare Hoti

Sëmundjet kardiovaskulare përfshijnë çdo lloj sëmundjeje që prek sistemin kardiovaskular, i cili përfshin zemrën dhe enët e gjakut.

Por, për të mësuar më shumë rreth këtyre sëmundjeve, diagnostikimit si dhe trajtimit, portali Familja Jonë ka intervistuar Doktorin e Shkencave të Mjekësisë, Artan Ahmeti, Kardiolog dhe Internist.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

1.  Çka janë sëmundjet kardiovaskulare?

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në nivel global. Rreth 17.9 milionë njerëz vdiqën nga sëmundjet kardiovaskulare në vitin 2019, që përfaqëson 32% të të gjitha vdekjeve globale. Nga këto vdekje, 85% ishin për shkak të sulmit në zemër dhe goditjes në tru.

Sëmundjet kardiake janë një grup sëmundjeve të zemrës. Ato përfshijnë:

  • Sëmundja koronare e zemrës – sëmundje e enëve të gjakut që furnizojnë muskujt e zemrës;
  • Pamjaftueshmëria e zemrës – do të thotë se zemra nuk po pompon gjak aq sa i duhet organizmit;
  • Sëmundjet e valvulave të zemrës – kur valvulat e zemrës nuk hapen mjaftueshëm për të lejuar që gjaku të rrjedhë siç duhet, gjendje e quajtur stenozë. Ose kur valvulat e zemrës nuk mbyllen siç duhet dhe kështu lejojnë që gjaku të rrjedhë, gjendje e quajtur regurgitim;
  • Aritmia i referohet një ritëm jonormal të zemrës. Ka lloje të ndryshme të aritmive. Zemra mund të rrahë shumë ngadalë, shumë shpejt ose në mënyrë të parregullt;
  • Sëmundje kongjenitale të zemrës – defekte të lindura që ndikojnë në zhvillimin dhe funksionimin normal të zemrës të shkaktuara nga keqformimet e strukturës së zemrës që nga lindja;
  • Kardiomiopatia: sëmundjet e muskulit të zemrës;

Një sëmundje e shpeshtë dhe shumë e rrezikshme është sulmi në zemer (ose infarkti i zemrës).

2. Cilat janë shenjat dhe simptomat kryesore që mund të tregojnë për një problem potencial në zemër?

Te gjitha këto sëmundje manifestohen me simptome specifike, duke përfshirë:

  • dhimbje gjoksi (anginë) dhe frymëzenje:
  • marramendje;
  • të fikët (sinkopë) ose gati të fikët;
  • ndenjën e te rrahurave te shpejta te zemrës dhe ose te çrregullta te zemrës;
  • lodhja;
  • këmbët ose kyçet e ënjtura.


3. Cilat janë hapat e parë diagnostikues që duhet të ndërmerren pas këtyre simptomave?

Për diagnostikimi e sëmundjeve kardiake janë disa metoda diagnostike, si: anamneza dhe ekzaminimi fizikal, EKG, ultrazëri i zemrës, MRI e zemrës, stres testi (ergometria), holter EKG 24h, pastaj metodat invazive si koronarografia, studimi elektrofiziologjik i zemrës, scintigafia e zemres, etj.


4. Si bëhet diagnoza e sëmundjeve kardiovaskulare në praktikën tuaj?

Në praktiken tone të përditshme, diagnostikimi i sëmundjeve kardiovaskulare bëhet me të gjitha  metodat bashkëkohore që sot përdoren për këtë qellim. Sot në QKUK bëhet diagnostikimi i të gjitha sëmundjeve te zemrës, pa pasur nevojë për referimin e pacienteve jashtë QKUK-së.


5. Si ndihmon teknologjia e fundit në diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës dhe çfarë përparimesh keni vërejtur në këtë fushë në vitet e fundit?

Metodat e avancuar diagnostike e kanë lehtësuar shumë diagnostikimin e sëmundjeve kardiovaskulare duket rritur ndjeshëm shpejtësinë dhe saktësinë e diagnostikimit që ka mundësuar trajtimin me kohe të këtyre pacientëve.  

6.  Si përmirësohet cilësia e jetës së pacientëve pas trajtimit për sëmundje të zemrës dhe si monitorohet efektiviteti i këtyre trajnimeve?

Diagnostikimi i saktë dhe me kohë mundëson suksesin e trajtimit tek pacientët me sëmundje kardiovaskulare. Monitorimi i trajtimit bëhet me vizita të rregullta te kardiologu. Kualiteti i jetes së këtyre pacientëve varet nga shkalla e invaliditetit, shkallëzimi i simptomave, numri i hospitalizimeve, etj.

7. Cilat janë rekomandimet tuaja për pacientët për të mbajtur një shëndet të mirë kardiovaskular dhe për të parandaluar sëmundjet e zemrës nëpërmjet stilit të tyre të jetesës?

Duhet të trajtohen me kohë dhe në mënyrë të saktë faktorët e riskut kardiovaskular që janë të shumtë; ndër më të rëndësishmit janë: tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e sheqerit (diabeti), yndyra e lartë në gjak, duhan-pirja, jeta sedentare (pa aktivitet fizik), stresi, ushqimi jo i shëndetshëm, obeziteti, abuzimi me alkool etj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë