Në ditët e ngrohta, akullorja është ëmbëlsira që konsumohet më së shumti.
Por, ka lloje të akullores që nuk konsiderohen të shëndetshme dhe të tjera që janë të shëndetshme.
“Akullorja absolutisht mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme. Ushqimi është diçka më shumë se veç disa kalori, yndyrë e sheqer”, ka thënë dietologu Chris Mohr, për Fox News.
Ai ka thënë se gjëja kryesore që njerëzit duhet ta kenë parasysh është që të mos teprohet me konsumimin e akullores, ashtu sikur me çdo ushqim tjetër që përmban kalori e sheqer.
Kurse dietologia Keri Glassman ka thënë se akullorja gjithashtu përmban një lloj përbërësi që quhet C15:0, një acid yndyror esencial.
“C15:0 ka lidhshmëri në uljen e plakjes biologjike sepse forcon qelizat dhe mbron zemrën, metabolizmin dhe shëndetin e mëlçisë”, ka thënë ajo.
Të dy dietologët pajtohen se shija e akullores nuk është se luan ndonjë rol të rëndësishëm, përveç kur bëhet fjalë për shtesat.
“Natyrisht, çokollata e vanilja janë pak a shumë të njëjta. Faktori i rëndësishëm është kualiteti i përbërësve si karameli, biskotat e shtesa të tjera jo të shëndetshme që përmbajnë ngjyrues e ëmbëltues artificialë”, ka thënë Mohr.
Akullore e shëndetshme konsiderohet ajo që përmban krem, qumësht, çokollatë si dhe shije vanilje natyrale.
Për shtesa sipër akullores këshillohet të përdoren frutat dhe arroret në vend të biskotave e shtesave të tjera si bombonet me ngjyra.