Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, kanë vizituar Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me ç’rast u përuruan renovimet në vlerë prej 750 mijë euro.
Kurti tha se krahas renovimit të tërësishëm, janë shtuar edhe shtretërit dhe hapësira brenda kësaj klinike.
“Ky investim është bërë në vlerën e 750 mijë eurove. Në kujdesin intensiv nga katër në 10 ndërkaq në repart nga 14 në 17, gjithashtu janë edhe zona e filtrimit të cilat ndalojnë infektimit, si dhe kemi arritur që gjatë renovimi të zbulojmë 200 metra katror hapësirë që nuk është përdorur më herët dhe që tash kemi vend edhe për arkiva dhe për zyrë dhe ka kushte të mira si për pacientë por edhe për mjekët. Siç themi klinikë pas klinike po rregullojë shëndetin, para meje kemi një aparaturë e cila shërben që gjatë operacioneve që kur ndalen zemra zëvendëson edhe zemrën edhe mushkëritë”, u shpreh Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha sfidë ka qenë vendi për t’i vendosur pacientët në kohën sa është rinovuar kjo klinikë, raporton EO.
“Sot po e lansojmë edhe një klinikë me kushtet me moderne të mundshme, një klinikë si kjo kanë mundësi që t’i marrin shërbimet që nuk kanë mundur t’i marrin më herët. Sfida e vetme ka qenë ku t’i vendosin pacientët kur bëhen këto renovime. Në mënyrën më të mirë e kemi bërë zhvendosjen e pacientëve dhe nuk ka pasur mosndalje të shërbimeve. Të gjithë njerëzit vullnetmirë që kanë kontribuar në këtë renovim iu falënderojmë, iu garantojmë që të gjithë shërbimet do të kryhen në këtë klinikë”, u shpreh Vitia.