Në shërbimin e Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë të Klinikës së Kardiologjisë në javën që po lëjmë pas u shënua një rekord i ri pune.
Në 5 ditë u implantuan 5 pajisje defibriluese intrakardiake (ICD) dhe u realizuan 9 procedura intervente aritmologjike të ablacionit radiofrekuent, këto të fundit me përkrahje e mbikqyrje profesionale të ekspertit nga SHBA Dr. Ilir Maraj.
Këtë e ka bërë të ditur Edmond Haliti, kardiolog në QKUK.
Përmes një postimi në facebook, ai shkroi:
“Jam i lumtur dhe krenar që me një ekipë të mrekullueshme edhe kësaj here po shënojmë hapat e duhur të zhvillimit të kësaj pjese avangarde të Kardiologjisë moderne në vendin tonë, duke ndihmuar para së gjithash pacientët në nevojë, të cilët këto shërbime i kanë marrë kryesisht jashtë vendit, duke kursyer kështu buxhetin e shtetit e qytetarit tonë, duke rritur besimin te institucionet publike shëndetësore dhe duke realizuar ambiciet tona profesionale.
Sukseset e tilla të arritura me mund të madh, e jo rrallë edhe me pengesa, nuk arrijnë të zbehen as nga dashakeqësia e shpirtngushtësia e atyre që kjo ju ka penguar dhe vazhdon t’i shqetësoj”.