Me rregulloren e re personat me aftësi të kufizuara do të kenë vlerësim të përhershëm, ata do të mund të aplikojnë online dhe përcjellësi i tyre për një kategori do të jetë i përhershëm ndërsa për tjetrën mund të ketë rivlerësim.
Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ku u diskutua lidhur me plotësimin apo ndryshimin e Rregullores për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të Drejtave të Personave Praplegjik dhe Tetraplegjik, ose nxjerrjen e Rregullores së re.
Në këtë komision, u theksua nevoja për krijimin e një data baze në institucionet e Kosovës, e cila do të përmbajë të dhënat për këtë kategori të personave.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna tha se rregullorja tashmë ka shkuar në thesar për buxhetin dhe është përcjellur në zyrën e kryeministrit për përputhshmëri.
Ndryshimin më të rëndësishëm në këtë rregullore, Dobruna e konsideroi se nuk do të ketë më rivlerësime të gjendjes së personave me nevoja të veçanta.
Ai tregoi se aplikimi do të jetë online, ndërsa ata që nuk kanë mundësi të vijnë do t’iu sigurojnë transportin, derisa si opsion tjetër përmendi vizitën e komisionit në shtëpitë ku ata banojnë.
Ndërsa, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se është nënshkruar kontrata nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHKUK) për pajisjet që i nevojiten kësaj kategorie, derisa potencoi se investimi për gjatë dy viteve është 3.2 milionë për vitin 2024 dhe 3.2 milionë për vitin 2025.
Drejtori i Shoqatës HANDIKOS, Afrim Maliqi e konsideroi si jashtëzakonisht të rëndësishëm për mjetin vlerësues me të cilin komisioni do ta vlerësoj personin për aftësitë e tij.
Ai tha se ata kanë një data bazë të tyre si shoqatë, porse theksoi nevojën për krijimin e një tjetre nga institucionet shtetërore.
Maliqi përmendi si regres çështjen e subvencionimit me energji elektrike për këta persona, derisa potencoi se nuk doli ashtu siç kishte premtuar zëvendësministri i MFPT-së.
Ndërkaq, kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje pyeti zëvendësministrin e Shëndetësisë, nëse janë përjashtuar personat e moshuar për marrjen e pajisjeve për lëvizje, për çka tha se e kanë dëgjuar si informacion para rreth një muaji.
Lidhur e këtë, zëvendësministri Berisha tha se nuk kanë ndonjë informacion zyrtar se mund të ketë ndodhur një gjë e tillë.